E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëhilli: Nuk ka krizë, do ecim përpara me projektet

Vetëm një ditë pasi kryeministri i vendit shpalli vendimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve, kryesocialisti Rama njëlloj si një vit më parë, u ngrit sërish me forcën më të madhe kundër kësaj rritje. Kështu u shpreh
zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli pas deklaratave të kreut të opozitës Rama se arka e shtetit është bosh. Sipas saj Rama hoqi petkat e "kryetarit të kutisë" dhe u paraqit para shqiptarëve si "kryetari i gropës dhe krizës" që ka në mendjen e tij.
"Ai njëlloj si 3 vjet më parë që u ngrit kundër korridorit të kombit Durrës-Morinë, u ngrit sot kundër korridorit të Jugut dhe autostradës Tiranë-Elbasan", tha Mëhilli në një deklaratë për shtyp.
Sipas saj, pavarësisht nga vajet e krizës së Ramës, Partia Demokratike përmes qeverisë së saj është e vendosur të realizojë këtë vit rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve në Evropë si dhe të fillojë ndërtimin përgjatë këtij viti të veprës më të madhe të ndërtuar ndonjëherë nga shqiptarët, Korridorit të Jugut dhe segmentit të saj autostradës Tiranë-Elbasan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›