E Diel, 1 Nëntor 2026

Mehmeti mund të vazhdojë me Malmon

Agon Mehmeti ishte ylli i vetëm që deri tash e kishte refuzuar vazhdimin e kontratës me Malmon. Sulmuesi kosovar preferonte t’i priste ofertat e jashtme, më saktësisht Palermon, për të cilën flitej më së shumti. Mirëpo, ish-kampioni suedez nuk ka marrë asnjë ofertë zyrtare nga klubi italian. Këtë e kishte konfirmuar drejtori sportiv, Per Agren për fotbolltransfers.com. Tash, Mehmeti i ka dhënë shenjat e para për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me Malmon.

“Të shohim. Kemi edhe disa ndeshje mjaft të rëndësishme, kështu që do të mundohemi të koncentrohemi te to, e më pas të shohim se çka do të ndodhë, nëse do të ulemi sërish të diskutojmë apo jo”, deklaroi Mehmeti për Dagbladet.

Goli i shënuar ndaj Syrianska FC-së e ka kthyer gëzimin në fytyrën e futbollistit kosovar, i cili këtë sezon nuk shkëlqeu siç pritej, ndoshta pikërisht për shkak të zërave që qarkullonin për interesimin e klubeve për shërbimet e tij.

“Kam filluar ta gjej veten sërish, pas periudhës së errët. E ndiej lumturinë dhe harmoninë sërish, kështu që jam i lumtur për këtë moment. Ishte siç ishte për mua, tash ajo kohë qoftë e kapërcyer. Isha goditur keq në ato momente, por tash ndihem mjaft mirë me situatën aktuale”, përfundoi Mehmeti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›