Radha te Blatteri & CO

Drejtuesit e futbollit kosovar po presin në ethe zhvillimet rreth kërkesës së tyre, për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare me përfaqësuese.
Për këtë temë, të mërkurën në Cyrih të Zvicrës është diskutuar gjatë mbledhjes së Komitetit të Asociacioneve të FIFA’s. Në këtë vend kanë qëndruar edhe numri një i futbollit kosovar, Fadil Vokrri dhe nënkryetari Agim Ademi, por që nuk kanë pasur të drejtë të marrin pjesë në mbledhje.
Mirëpo, udhëheqësit e futbollit kosovar kanë bërë të ditur se presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, i cili po e ndihmon ndërkombëtarizmin e futbollit kosovar, i ka njoftuar se Komiteti i Asociacioneve të FIFA-s ka diskutuar për kërkesën e tyre.
“Kryetari i Federatës Shqiptare, Armando Duka na ka ndihmuar shumë. Ai e ka hapur diskutimin rreth kërkesës sonë. Ndërkohë, Federata e Portugalisë ka dhënë një mbështetje shumë të madhe në favor tonin, mbështetje të atillë që as vetë ne nuk e kemi pritur”, ka deklaruar Ademi për Express.
Mirëpo, Ademi e Vokrri nuk e dinin nëse disponimi i përgjithshëm i Komitetit të Asociacioneve rreth kësaj kërkese ka qenë në favor të Kosovës, apo jo. Jo-zyrtarisht mësohet se përfaqësuesit rusë dhe ata serbë kishin kundërshtuar kërkesën e shtëpisë së futbollit kosovar.
Njëherësh, Vokrri e Ademi të mërkurën mbrëma nuk kishin informacion zyrtar nëse kjo çështje do të futej në agjendën e punimeve të Komitetit Ekzekutiv, i cili do ta mbajë mbledhjen e vet të enjten e të premten.
Mirëpo, paraprakisht është thënë se pas diskutimit në mbledhjen e Komitetit të Asociacioneve, kërkesës së palës kosovare do t’i përgjigjet përfundimisht Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s.
“Ne shpresojmë që kjo çështje do të jetë në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, i cili besojmë se rreth kërkesës do të diskutojë të premten, sepse të enjten me gjasë do t’i diskutojë disa çështje të tjera më me rëndësi”, ka thënë Ademi.
Vokrri takon Blatterin
Në anën tjetër, vizitën në Cyrih, Fadil Vokrri e Agim Ademi e kanë shfrytëzuar maksimalisht për lobim. Përveç krerëve të ndryshëm të Federatave, udhëheqësi i futbollit kosovar ka takuar edhe numrin një të futbollit botëror, Sepp Blatter.
“Ne jemi duke lobuar shumë, dhe po ndihmohemi nga Armando Duka, por edhe nga miq të tjerë. Po lobojmë shumë dhe mund t’u konfirmoj se Vokrri e ka zhvilluar një takim të posaçëm me kryetarin e FIFA-s, Sepp Blatter. Shpresoj që ky takim mund të sjellë fryte”, ka përfunduar Ademi.
Vokrri edhe më parë e kishte takuar Blatterin në një takim zyrtar, por megjithëkëtë kërkesat e kosovarëve vazhdojnë të hasin në veshë të shurdhër.