Presidenti, PS: Rama së shpejti nis takimet me partitë parlamentare
Një një komunikatë të shpejtë për shtyp, Partia Socialiste ka dhënë disa detaje lidhur me takim që kreu i saj ka patur me kandidatin për president, Fatos Nano.
Në deklaratën thuhet se gjatë takimit i është thënë ;zotit Fatos Nano se Partia Socialiste synon krijimin e kushteve për një proces politik, ku publiku të mos ndjehet i përjashtuar dhe ku të gjitha palët parlamentare të përfshihen në një dialog konstruktiv. Socialistët do të jenë të angazhuar për ti dhënë Republikës sonë një President me votat e më shumë se një pale, si edhe vetë Shqipërisë një argument bindës në mbështetje të kërkesës për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian.
Duke e vënë theksin tek një proces gjithpërfshirës për të shkuar drejt emrit të Presidentit të ri, selia rozë njofton gjithashtu se së shpejti; do të aktivizohet publikisht përmes kryetarit të saj Edi Rama dhe drejtuesve të tjerë të mandatuar nga forumi më i lartë i PS, për të komunikuar drejtpërdrejt me palët e tjera parlamentare pa dallim.
Qëllimi i këtij komunikimi do të jetë eksplorimi i të gjitha mundësive për një proces politik dobiprurës, në funksion të kalimit të provës shumëplanëshe ku e ka vënë Shqipërinë dhe politikën shqiptare si e tërë zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës.- përfundon deklarata e PS-së