Mekanizmat e Da Vinçit në kalanë e Gjirokastrës
Të hedhura në letër, mekanizma në dukje të çuditshme, janë pjesë e krijimtarisë së Leonardo Da Vinçit. Për të mos i lënë thjesht si ide, artisti italian, Giuseppe Manisco, i ka rindërtuar duke i bërë të prekshme. Këto mekanizma janë bërë pjesë e një ekspozite të veçantë, hapur këto ditë në galerinë “Gjin Zenebishi” në kalanë e Gjirokastrës. është zgjedhur qyteti i gurtë, larg kryeqytetit, për prezantimin e këtij aktiviteti, pjesë e “Shqipëri-Itali 2010: dy popuj, një det, një miqësi”. Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, në bashkëpunim me Provincën e Leçes, Bashkinë Gjirokastër, Institutin e Kulturave Mesdhetare në Provincën e Leçes, Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër dhe shumë shoqata të tjera, kanë mbështetur idenë e propozuar për një ekspozitë të tillë. E kuruar nga arkitekti italian, Simone Mazzetto, drejtor i Departamentit të Arkitekturës pranë universitetit “Pavarësia” në Vlorë, kjo ekspozitë prezanton më shumë se 40 makineri të rindërtuara sipas vizatimeve origjinale të Leonardo Da Vincit. “Ideja lindi nga takimi në tetorin e shkuar në Vlorë me artistin Giuseppe Manisco, gjatë “Ditëve të Javës së Gjuhës Italiane nëpër botë”. Duke folur për lidhjen e ngushtë mes gjuhës dhe shkencës dhe duke treguar disa makineri leonardiane të realizuara nga vetë Manisco, kurioziteti dhe entuziazmi që ngjalli te studentët na frymëzoi për të ndërtuar këtë projekt interesant”, thotë koordinatori Teodor Bilushi. Në ceremoninë e çeljes, konsulli Sergio Stroci theksoi se zgjedhja e kalasë së Gjirokastrës për shfaqjen e ekspozitës është e lidhur me dy arsye: dhënia së pari e idesë së një vazhdimësie historike e skenografike dhe së dyti promovimi i Qarkut të Gjirokastrës si destinacion turistik përmes realizimit të aktiviteteve kulturore. Arkitekti italian, Simone Mazzetto, në fjalën e tij nënvizoi se Leonardo Da Vinçi është ndoshta artisti më i famshëm italian në botë. “Kur përmendim emrin e tij, çdokush kalon nëpër mend Xhokondën, Damën me Hermelin, apo Darkën e fundit. Por jo të gjithë njohin shumëllojshmërinë e veprave të prodhuara nga gjeniu i Rilindjes. Piktor, skulptor, arkitekt, inxhinier, shkencëtar dhe shpikës, Leonardo mishëron figurën e vërtetë eklektike të artistit, intelektualit dhe humanistit rilindës”, ka thënë ai. Makineritë e Da Vinçit lindin nga verifikimi direkt i fenomeneve natyrore, nga eksperienca e të vepruarit dhe aftësia e riprodhimit, verifikimit, kontrollimit. Këto shpikje të tij shndërrohen në një instrument universal të dijes po aq universal sa edhe mendimi i tij, dhe kështu projekton makineri për të ndihmuar njeriun në punë, për vepra hidraulike, arkitektonike, mekanizma orësh, armë dhe skenografi teatrale.
Kjo ekspozitë ka për qëllim të nënvizojë dhe të dëshmojë dy aspekte themelore të lidhura jo vetëm me personalitetin e Da Vinçit, por edhe me kulturën rilindëse italiane, mbi të cilën lindi dhe u rrit kultura europiane. “Aspekti i parë është pikërisht ai i gjithanshmërisë së artit dhe universalitetit të dijes, që kanë gjithsesi referent primar njeriun dhe natyrën. Aspekti i dytë është i lidhur me forcën e mrekullueshme të vizatimit si gjuha e vërtetë e vetme universale, përtej të gjitha barrierave linguistike, gjeografike dhe historike. Këto rikrijime të Giuseppe Manisco janë vepra të vërteta arti, që nëpërmjet leximit besnik të vizatimeve të Leonardos është bërë i mundur rindërtimi origjinal i mendimeve dhe ideve të një gjeniu që ka jetuar rreth 500 vjet më parë”, ka thënë Mazzeto. Sipas organizatorëve, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 6 qershor, nga ora 09:00 deri në orën 18:00.
#