QSUT zgjidh problemin e defekteve
Pajisjet e shtrenjta, shumë të shtrenjta apo unike të llojit të tyre, që janë në inventarizimin e qendrës spitalore universitare, “Nënë Tereza”, do të jenë më të sigurta. Të paktën pacientët nuk do të presin më në radhë të gjatë, për shkak se këto pajisje apo aparatura janë të prishura, apo se ende nuk ka mbërritur tekniku, specialisti i posaçëm nga jashtë vendit.
Nisur nga ankesat e pacientëve, sugjerimet vit pas viti në analizat e punës në spitalin e Tiranës, por edhe për shkak të ngërçit të krijuar herë pas here për ekzaminimet në spital, është gjetur një zgjidhje ligjore dhe e prerë. Qendra spitalore ka njoftuar zyrtarisht se ka përfunduar procesi i lidhjes së kontratave dhe marrëveshjeve me teknikë e specialistë për plot 90 aparatura dhe pajisje spitalore. Kjo do të thotë që menjëherë pas paraqitjes së problemeve me pajisjen, prishjes të tyre apo kur pësojnë defekte, tekniku duhet ta zgjidhë situatën brenda 8 orëve. Ndërkohë që për punë tepër të vështira, apo për mungesa “ingranazhesh”, koha e rregullimit parashikohet të jetë edhe më e gjatë, deri në një javë.
Remontet e pajisjeveDrejtoria e qendrës spitalore universitare, “Nënë Tereza”, ka përfunduar së nënshkruari kontratat me të gjitha firmat private për mirëmbajtjen e aparaturave dhe pajisjeve të imazherisë.
Sipas kontratave të nënshkruara, firmat janë të detyruara të rikthejnë në gjendje pune aparaturat e prishura deri në 48 orë, dhe në rastet kur pajisjet janë të veçanta dhe duhet të vijnë nga jashtë, deri në një javë. Sipas drejtorit të QSUT-së, të gjitha kontratat kanë përfunduar, ndërkohë që nga fillimi i vitit ky shërbim u mbulua me kontrata shtesë. “Aktualisht QSUT i ka mbyllur të gjitha kontratat që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen dhe rregullimin e aparaturave të imazherisë dhe ekzaminimeve. është e rëndësishme të theksohet se të parat kontrata që realizuam ishin ato të aparaturave unike në vend, apo aparaturave shumë të rëndësishme, siç janë skanerët apo rezonanca manjetike”, sqaroi kreu i spitalit “Nënë Tereza”, Ilir Dashi. Sipas tij, janë afërsisht 90 aparatura për të cilat do të kujdesen firmat private.
Kontrata“Lidhja e kontratave ishte një nga angazhimet kryesore nga ana jonë, për vetë faktin që pacientit t’i ofrohet shërbimi në kohën dhe në momentin e dukur. Duke pasur parasysh se ekzaminimi është hapi i parë që ndiqet në QSUT, u përpoqëm që këto aparatura të jenë non stop në dispozicion të tyre”, theksoi kreu i QSUT. Sipas tij, këto kontrata do të jenë të vlefshme deri më 31 dhjetor të këtij viti. Gjatë kësaj kohe, personeli i administratës spitalore do të bëjë gati procedurat e reja për realizimin e firmosjes së kontratave për vitin 2011. Sipas QSUT-së, kontratat e ardhshme mund të jenë edhe më të gjata në kohë. Pavarësisht kësaj, në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, në stafin e personelit mbështetës, ndodhen edhe specialistë teknikë të cilët kryejnë remonte dhe rregullime për ekzaminimet në përgjithësi apo për nevoja urgjente në dhënin e shërbimit shëndetësor.
#