E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çadra kthehet në urgjencë. 45 të larguar në 16 ditë

Grevistët, në gjendje shumë të rëndë. Largohen Klosi dhe Leka

Merr përmasa gjithnjë e më dramatike situata njerëzore e grevistëve të urisë. Dje kanë dalë nga greva tre persona, ndërkohë që çadrat poshtë Kryeministrisë janë kthyer në një dhomë urgjente ku deputetët dhe përkrahësit e PS-së pësojnë ndërhyrje me serum apo me medikamente të tjera, si pasojë e rëndimit të kushteve trupore. Sabit Brokaj, i cili kryeson grupin e mjekëve, dje ka dhënë alarmin se gjendja po hyn në kufijtë e katastrofës. Dje janë dërguar urgjent në spital deputetët Agim Leka dhe Blendi Klosi, si dhe dy mbështetës: përkatësisht Ferdinand Kapllanaj, 39 vjeç dhe Kiço Tela, 65 vjeç. Deputeti Leka ndodhet në reanimacion si pasojë e problemeve në shumë organe të trupit, ndërsa deputeti Klosi, i cili vuan nga diabeti, ka shkuar në kufirin dramatik të situatës trupore. Aktualisht ka shkuar në 45 numri i përgjithshëm i grevistëve që kanë lënë grevën e nisur prej datës 30 prill. Ish-deputeti Sabit Brokaj, i cili vullnetarisht kujdeset për grevistët, deklaroi se “gjendja shëndetësore e grevistëve është mjaft e rënduar”. Gjatë natës, vijoi ai, dhe tani janë përcjellë numri më i madh në 24 orë i grevistëve të sëmurë në spital. “Tani u përcoll, pas këmbënguljes së personelit mjekësor dhe drejtuesve të Partisë Socialiste për gati dy javë, deputeti Blendi Klosi, për t’u trajtuar në spital, pasi sikurse ka deklaruar herë pas here, nuk ka pranuar që të shkonte. Vazhdon që gjendja të keqësohet, është e pritshme që problemet e tyre shëndetësore të jenë edhe më serioze, nëse greva do të zgjasë më tej”, nënvizoi Brokaj. Në lidhje me deputetin Blendi Klosi, Brokaj tha se “ai është diabetik dhe kishte çrregullime tërësore në organizëm, pasojë e sëmundjes”.

Klosi

Nga spitali infektiv ku është trajtuar me intensitet, duke folur për mediat, deputeti Blendi Klosi deklaroi se i vinte keq që nuk gjendej më pranë grevistëve, por largohej nga greva me bindjen se tashmë ajo do të hyjë në histori si një moment i lavdishëm i politikës shqiptare. Duke folur me një zë mjaft të dobët, Klosi theksoi se “kjo grevë vlejti shumë, sepse ne arritëm të tregojmë se ka ende njerëz që sakrifikojnë kaq shumë nga vetja, për diçka e cila nuk ka lidhje personalisht me asnjë nga ne, por me të ardhmen e këtij vendi. Greva do të mbetet në vite si një moment i lavdishëm i historisë politike të shqiptarëve”. Sipas Klosit, tashmë kauza kryesore e hyrjes në grevë, transparenca e zgjedhjeve është fituar, pasi sipas tij, çdo shqiptar e di se vota iu vodh nga Berisha. Dyshimet mbi vërtetësinë e grevës, Klosi i konsideroi një makabritet dhe ftoi cilindo mjek, madje dhe vetë Kryeministrin të vëzhgojë nga afër gjendjen e grevistëve. “Sali Berisha, nëse do të veshë bluzën e mjekut dhe të shkojë të zgjedhë këdo nga 200 grevistët të bëjë analizat dhe të shikojë se greva është më se e vërtetë”, u shpreh Klosi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›