E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes një oficer e plagosen 3 të tjerë në poligonin e demontimit

SHKRUAN: Habjon Hasani 29-04-2011 10:14

Skrapar- Shpërthimi i një predhe në repartin e demontimit në Pigas të Skraparit i ka marrë jetën dje oficerit 56- vjeçar Agim Mekollari dhe ka plagosur tre punonjës të tjerë. Policia lokale bëri me dije se Mekollarit i plasi predha në dorë rreth orës 12.50 minuta të ditës së djeshme, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Tre punëtorët e demontimit, Jetmir Dedja, Drini Tiko dhe Ilir Kurti u plagosën gjatë shpërthimit. Mes tre të plagosurve, 30-vjeçari Jetmir Demaj ka marrë plagët më të rënda, ndërsa dje pasdite mjekët e Spitalit Ushtarak në Tiranë kanë konfirmuar për MAPO-n se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dy të plagosurit e tjerë, Drini Tiko 28 vjeç dhe Ilir Kurti 27 vjeç kanë dalë dje pasdite nga spitali, pasi janë kuruar nga disa plagë të lehta. Viktima e shpërthimit, oficeri Agim Mekollari kishte një eksperiencë të gjatë si ushtarak dhe një ndër specialistët më të mirë në fushën e demontimit të predhave me kalibër të madh. “Ai ka shërbyer në Forcat e Armatosura nga viti 1982 deri në vitin 1989, si oficer i repartit të xhenios. Prej vitit 2009, ai ka qenë i riaktivizuar. Janë marrë masat për varrimin e të ndjerit dhe përkujdesjes së familjarëve të tij”, - tha dje zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes. Hetimet paraprake sugjerojnë se shpërthimi ka ndodhur në një moment pakujdesie të viktimës, të cilit predha i ka shpërthyer ndërsa ishte duke e transportuar. Gjithsesi, hetuesit thonë se nuk përjashtohet dhe varianti i shpërthimit të predhës nga gjendja e degraduar e saj. Plagët e viktimës Agim Mekollari janë marrë kryesisht në pjesën e stomakut dhe të këmbëve, të cilat i kanë shkaktuar atij vdekjen. Pas aksidentit të rëndë, Ministria e Mbrojtjes ka marrë masa të menjëhershme për të minimizuar pasojat e ngjarjes. “Në ndihmë të plagosurve janë dërguar helikopterë të Forcave të Armatosura dhe është bërë evakuimi për në Spitalin Ushtarak”, - tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes. Mësohet se pas mbërritjes në Spitalin Ushtarak, 30-vjeçari i plagosur Jetmir Demaj i është nënshtruar dje një ndërhyrjeje kirurgjikale që ka zgjatur më shumë se dy orë. “Porsa ka mbërritur me helikopter, 30- vjeçari Demaj i është nënshtruar një kontrolli paraprak dhe më pas e kemi kaluar menjëherë në sallën e operacionit. Problemin e ka patur në nofullën e djathtë”,-thanë punonjës të Spitalit Ushtarak. Pasi ka shpërthyer predha në duart e oficerit Mekollari, disa copëza të predhës kanë kapur dhe nofullën e Demajt. Ai duhet të ketë qenë në një rreze distance mbi 30 metra larg viktimës Mekollari dhe i vetmi dëmtim serioz ishte ai i shkaktuar nga copëza e predhës. I plagosuri Demaj është jurist me profesion dhe ka punuar për disa kohë si avokat, së bashku me një të afërmin e vet. Së fundmi ai kishte nisur punë me repartet e demontimit në të dalë të Skraparit. Të tre të plagosurit janë shtruar në repartin VIP të Spitalit Ushtarak, ndërsa deri dje pasdite dhënia e informacionit mbi gjendjen e tyre apo rrethanat e plagosjes kanë qenë tepër të rezervuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›