Memelli: “Dinamo? Ndeshja kyçe për Tiranën”Memelli eshte autori i një goli në ndeshjen e parë midis dy skuadrave, të fituar 2-1 nga Tirana (golin tjetër për bardheblutë e shënoi Gjergji Muzaka). Tirana e Dinamo kanë zhvilluar midis tyre 127 nde

Derbi i shumëpritur Dinamo-Tirana, i 128-i historik, është vlerësuar shumë nga Migen Memelli, golashënuesi më i mirë aktual të Kategorisë Superiore (10 gola në 14 ndeshje të aktivizuara), por dhe gjithë kompeticioneve sezonale, duke përfshirë edhe Kupën e Shqipërisë (8 gola në tre ndeshje).
Autori i një goli në ndeshjen e parë midis dy skuadrave, të fituar 2-1 nga Tirana (golin tjetër për bardheblutë e shënoi Gjergji Muzaka) pohoi për “Albania-sport.com”: “Derbi me Dinamon është një nga ndeshjet më të vështira të Tiranës, pasi janë së bashku me Vllazninë tre nga ekipet më të mira për momentin. Unë do ta konsideroja si një ndeshje kyçe për objektivat tona, dhe të gjithë në skuadër e kanë vlerësuar kështu, pasi një hap fals do të na kushtonte në luftën për titull”.
Memelli, që në karrierën e tij ka edhe një klub norvegjez, Bran Bergenin, e vlerësoi fazën përgatitore në Antalia të Turqisë. “Bëmë një fazë përgatitore shumë serioze, ku theksi i stërvitjes nga ana trajnerëve (Agustin) Kola e (Mauro) Bençivenga, ishte sa në kondicionin fizik ashtu edhe në atë taktik. Unë besoj se Tirana me grupin e lojtarëve që zotëron i ka mundësitë për të marrë një rezultat pozitiv me Dinamon”.
Në ndeshjen e fundit të kampionatit para ndërprerjes dimërore, ish-sulmuesi i Gais-it në Suedi, realizoi një tripletë përpara syve të trajnerit të Kombëtares, Ari Han. Holandezi pritet të jetë në derbin e dy ekipeve, që së bashku kanë fituar 40 kampionate nga 69 të përfunduara.
Ndeshja me Maltën po afron (duhen edhe 15 ditë nga takimi i 11 shkurtit) dhe me Edmond Kapllanin e Erjon Bogdanin (ende pa gola në Bundesligë e Seria A), Besart Berishën e porsatransferuar te AC Horsens në Danimarkë, vëmendja e Hanit natyrshëm që do të fokusohet te sulmuesi më në formë në kampionatin shqiptar, autor i dy tripletave në kampionatin shqiptar (kundër Flamurtarit e Bylisit).
Memelli i bie shkurt. “Nëse do të jem apo jo, këtë e di trajneri (Han). Si çdo lojtar edhe unë do ta dëshiroja të veshja fanellën e Kombëtares”, - tha lojtari, i thirrur nga Han në zborin e Antalias së vitit të kaluar, por edhe më parë nga ish-trajneri Oto Bariç për miqësoren kundër Maqedonisë, në shkurtin e vitit 2007.
10 golat e Migen Memellit
Java 2: Teuta-Tirana 0-1 (1 gol)
Java 4: Apolonia-Tirana 0-2 (1 gol)
Java 5: Tirana-Flamurtari 3-1 (3 gola)
Java 7: Tirana-Dinamo 2-1(1 gol)
Java 14:Partizani-Tirana 2-2 (1 gol)
Java 17:Tirana-Bylis 6-2 (3 gola)
DERBI NË STATISTIKA
Tirana e Dinamo kanë zhvilluar midis tyre 127 ndeshje historike. Tirana ka në pjatën e saj 49 fitore, kundrejt 46 fitoreve të Dinamos (32 barazime).
E Merkure, 28 Janar 2009