Menaxhimi i portofolit, Banka e Shqipërisë bleu 450 milionë lekë bono thesari

Banka e Shqipërisë ka synuar mbajtjen e portofolit në nivele të pandryshuara në pritje të rënies së mungesës së likuiditetit në pjesën e dytë të vitit, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.
Gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2020, portofoli i Bankës së Shqipërisë ka rënë me vetëm 50 milionë lekë, pasi është rritur me përkatësisht 6.90 miliardë lekë dhe me 2.40 miliardë lekë në 3-mujorët e mëparshëm.
BSH bën të ditur se, gjatë 3-mujorit të dytë 2020, janë organizuar 5 ankande të blerjes së bonove të thesarit 12-mujore të sapoemetuara dhe janë lajmëruar bankat për shitjen e një bonoje thesari, ku zotërimi i BSH-së ishte mjaft i lartë.
Në ankande, pjesëmarrja e bankave ka qenë mjaft e ulët dhe BSH ka blerë vetëm 450 milionëë lekë bono thesari, ndërsa ankandi i shitjes është plotësuar për shumën maksimale 500 milionë lekë. /Atsh/