E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokada tregtare me Shqipërinë vështirë të eliminohet

Raportet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ende nuk janë në nivelin e dëshiruar, pavarësisht se ekzistojnë marrëveshje të shumta për lehtësimin e tregtisë ndërmjet dy vendeve.

Eksportuesit vendorë edhe më tej përballen me pengesa gjatë eksportit në Shqipëri, ku së fundmi pengesa kanë pasur eksportuesit e rrushit dhe të prodhimeve farmaceutike, ndërsa Shqipëria nuk ka treguar gatishmëri për zgjidhjen e problemit.

Ndonëse ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka njoftuar se çështja e problemit të eksportit të rrushit është zgjidhur, eksportuesit vendorë dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit shprehen skeptik se pavarësisht marrëveshjeve, barriera do të ketë edhe në të ardhmen.

Madje sipas tyre marrëveshjet e arritura me Shqipërinë më tepër mbesin vetëm si foto e marketing, ngase autoritetet e Shqipërisë ndryshe po veprojnë.

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, nëpërmes rrjetit social Facebook, ka bërë të ditur se telashet për eksportin e rrushit mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë marr fund. Sipas Krasniqit, Shqipëria ka pranuar kërkesën e palës kosovare për eksportin e rrushit.

memli krasniqii

"Me konkretisht, tashmë nuk ka asnjë limit të sasisë se eksportit, si dhe është hequr çmimi referent për kilogram, duke mundësuar kalkulimin e TVSH-së sipas çmimit real të rrushit të shitur, në bazë të kontratave përkatëse.

Ky zhvillim, që vjen pas vizitës zyrtare që kishim në Shqipëri gjatë javës së kaluar, më bën të besoj se në ditët në vazhdim do të kemi hapa konkret edhe për zgjidhjen e çështjeve të tjera që i kemi në diskutim, siç janë eksporti i vezëve, i miellit, i barënave, etj. Këto zhvillime tregojnë se marrëveshjet tona bilaterale duhet dhe mund të zbatohen edhe praktikisht", ka shkruar ai.

Nexhat Hasani, kryetar i Shoqatës së eksportuesve të Kosovës, ka thënë për KosovaLive se pvarësisht marrëveshjeve të arritura me Shqipërinë, problemet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

nexhat hasani

"Me Shqipërinë në vazhdimësi ka pengesa të ndryshme, herë me patate, herë me barna dhe së fundi me vreshtarët, e cila është pengesë aq e madhe që njëherë e përgjithmonë duhet të kalohen.

Njerëzit tanë nga qeveria flasin vazhdimisht që po mundohen ta bëjnë një treg të përbashkët Kosovë-Shqipëri, jemi për një treg të përbashkët, por duhet të studiohet dhe analizohet saktë se në cilat segmente mundemi të punojmë bashkërisht", ka thënë Hasani.

Ai ka shtuar se këto pengesa janë të pakuptueshme dhe nuk janë në drejtim të funksionit të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

"Jemi duke bërë gabime në vazhdimësi, nuk jemi duke i zgjedhur problemet dhe nuk ka një qasje pozitive që të zgjidhen këto probleme. Marrëveshjet e arritura ndërmjet dy vendeve më shumë janë vetëm si konsum politik se kinse janë duke bërë diçka, por në fakt nuk ka zgjidhje konkrete të problemeve. Ato marrëveshje vetëm po mbesin si një foto se u arrit diçka, ndërsa në realitet krejt ndryshe veprohet dhe punohet", ka deklaruar Hasani.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë për KosovaLive se ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë shumë më tepër ka fotografi dhe marketing se sa substancë, ndërsa në planin ekonomik shumë tepër punohet për të krijuar barriera sesa për t'i eliminuar ato. Kjo,sipas tij, u dëshmua edhe me rastin e fundit të ndalimit të rrushit.

safet gerxhaliuu

"Është një mesazh i qartë që ekonominë me Shqipërinë nuk e dirigjojnë institucionet, as Qeveria, por klane të caktuara të cilat i kanë të ndara sferat e interesit dhe varësisht nga llogaria e tyre, apo interesat e tyre marrin hapa të tillë. Ajo që duhet të jetë e bllokuar më së shumti është Kosovë, sepse e ka marr sinqeritetin, besueshmërinë dhe institucionet tona nuk kanë fuqinë lobuese, qoftë në Evropë apo diku tjetër për të zbutur këto pasoja", ka thënë Gërxhaliu.

Ai është shprehur i mllefosur duke thënë se pret që edhe në të ardhmen të ketë barriera të tilla, "sepse dy shtete një popull të ndarë e të ndodh diçka e tillë është dëshmia më e mirë sa e duamë kombin, sa i duamë shtetet tona dhe sa kemi dozë nacionalizmit ekonomik".

"Prandaj nuk dëshiroj të humbi kohë për të adresuar probleme, sepse të bisedosh me qarqe në Shqipëri është humbje kohe, sepse atë çka e thonë në media, tjetër e thonë pas-mediave, ndërsa veprojnë ashtu siç u teket interesit të grupeve të caktuara. Si duket me Shqipërinë hyhet në politikë për përfitime e jo për shtet e ardhmëri", është shprehur Gërxhaliu.

Por ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, u ka thënë afaristëve se gjatë takimeve me zyrtarë të Shqipërisë para ca ditësh janë pajtuar që të angazhohen për zgjidhjen e këtyre problemeve në afate rekorde. Ajo ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të bëhet edhe unifikimi i certifikatës veterinare dhe asaj fitosanitare, çështje që, sipas saj, pritet të ndikojnë në lehtësimin e mëtejshëm të tregtisë.

hykmete bajrami

"Kemi marrë zotimin e institucioneve që ne në një të ardhme shumë të afërt nuk do të kemi më pengesa për te tregtuar dhe eksportuar me Shqipërinë", ka thënë ajo.

Shkelzen Dragaj, këshilltar i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka thënë për KosovaLive se i kanë adresuar shumë këto çështje në takimet e fundit që kanë pasur në Shqipëri.

shkelzen dragaj

"Ne kemi raporte shumë të mira dhe kemi diskutuar për hapa konkret për eleminimin e shumë problemeve që mund të jenë dhe po punojmë bashkërisht që shumë shpejt të krijojmë lehtësira për prodhuesit nga të dyja vendet. Është në interes të të dy palëve dhe ne e kemi thënë që Kosova duhet ta rrisë eksportin në Shqipëri dhe që marrëveshjet tona të bashkëpunimit të zbatohen ashtu siç edhe parashohin. Të dy ministrat janë në kontakte ditore dhe të përkushtuar të mos ketë barriera për prodhuesit mes dy vendeve", ka thënë Draga.

Të rikujtojmë se Shqipëria edhe më parë kishte bllokuar tregtimin e prodhimeve nga Kosova, si të patates, miellit, etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›