Mendimi politik dhe konstitucional i Sami Frashërit
Samiu lindi në Frashër më 1 qershor 1850, u edukua në Janinë më 1861-1868 dhe i dha emër Perandorisë e Shqipërisë me krijimtarinë e tij në Stamboll prej vitit 1871 deri më 5 qershor 1904. Te mendja erudite e Samiut u bashkuan me një fuqi të paimagjinueshme forca parashikuese e trurit njerëzor dhe analiza e logjikës formale me mjeshtërinë artistike të përshkrimit. Në 54 vjet ai shkroi mbi 57 vepra. Autorë turq veprat ia dedikojnë otomanit Shemsedin Sami. Jusuf Akçura, krijuesi i njohur turk, e konsideron nacionalist turk, prandaj eshtrat e tij nuk vijnë në atdhe. Si nënshtetas otoman, në gazetën Sabah (Mëngjesi), Samiu deklaronte jam shqiptar dhe kundërshtonte tezën se shqiptarët myslimanë janë turq dhe ortodoksët shqiptarë janë grekë.
Me qëllim, në Enciklopedinë Turke ai e cilëson Frashërin një fshat i madh ose qytet i vogël, me 1500 banorë, ku banojnë myslimanë e ortodoksë, me tri xhami, një kishë, një teqe dhe njëzet dyqane. Samiu njihet si gazetar e kryeredaktor, krijues i veprave letrare e shkencore, përkthyes e krijues dramash, si atdhetar dhe mendimtar i Rilindjes Kombëtare, por mendoj se nuk njihet mendimi i hollë politik në veprat jo politike dhe dimensioni konstitucional në veprën: Shqipëria çka qenë, çështë e çdo të bëhetë
Fillesat e mendimit politik në vepra artistike e shkencore.
Mendimi politik i Sami Frashërit nuk mund të kuptohet i shkëputur nga zhvillimet politike të Europës, të Perandorisë dhe Samiut si nënshtetas otoman dhe shqiptar i vërtetë. Historia politike shërben si kornizë brenda së cilës qëndron historia e institucioneve politike e juridike dhe mendimi politik i aktorëve veprues. Vilhem Leibnic vlerësonte se e tashmja është përplot me të kaluarën dhe e ngarkuar me të ardhmen (le present est plaint du passé et charge de lavenir). Njohja e mendimit politik të Samiut shërben për të kuptuar prirjet moderne të ideve të tij në Perandorinë e sëmurë të Bosforit dhe fuqinë e ideve që zgjuan ndjenjën kombëtare shqiptare. Filozofia politike, metoda brilante e analizës dhe parashikimi i prirjeve dhe tendencave të zhvillimit, vizioni për të ardhmen dhe atdhetarizmi, janë frymëzuese edhe sot për të gjithë botën shqiptare. Me rënien e Napoleon Bonapartit dhe krijimin e Traktatit të Vjenës më 1814-n, Sulltani e drejtoi fuqinë ushtarake kundër dy pashallëqeve (nga katër që ekzistonin në Perandori), të Ali Pashë Tepelenës e Bushatllinjve të famshëm, të cilët, për mendimin tim, ndikuan në lindjen e ndjenjës kombëtare shqiptare, duke u mundësuar dhe grekëve që ta shfrytëzonin këtë situatë për të shpallur pavarësinë nga Perandoria. Janina me Zosimean e financuar nga shqiptari Zhapa dhe e mbështetur nga Ali Pasha (i cili jepte 1200 grosh në muaj), pas 1830-s u bë qendra e shkollimit për elitën shqiptare të Toskërisë, ku morën dije I. Qemali, K. Kristoforidhi, vlonjati Mehmet Ferid Pasha, ish-ministër i Brendshëm dhe më 1903-1908 Vezir i Madh, Abedin Dino, ish-ministër i Jashtëm, N. Frashëri e Hoxha Tahsini. Samiu në Zosimea shkëlqeu me shkollimin dhe mësimin në greqisht, latinisht, frëngjisht, arabisht, persisht e turqisht. Në vitet 1839-1876, në Perandori ndodhën procese reformuese, të cilat studiuesi Ahmet Xhevdet Pasha i emërtoi Tanzimat (Në literaturën e shkuar të historisë shqiptare gabimisht flitet për Reformën e Tanzimatit, kur në realitet tanzimat do të thotë reformë). Më 23 dhjetor 1876, reformatori më i madh i Perandorisë, Veziri i Madh Mithat Pasha, bashkëpunëtor i të cilit ishte I. Qemali, shpalli Kanun-Esasi, e cila ishte Kushtetuta e parë e Perandorisë së prapambetur. Sipas n.8-të, të gjithë individët e Perandorisë quheshin otomanë dhe të gjithë otomanët ishin të barabartë përpara ligjit në të drejta, pavarësisht fesë. Tanzimati, krahas tendencës laiciste, synonte përtëritjen e kombit islamik në dobësim e shthurje. Këtë tendencë e zbulon drama e famshme Vatan veyahud Silistre, (Mëmëdhe apo Silistri), e dramaturgut të njohur Namik Qemali, e shkruar më 1872-shin dhe e skenuar më 1873-shin. Si element lidhës midis kombit otoman dhe nënshtetasit otoman, autori i dramës vendoste fenë islame. Heroi i dramës, me emrin fetar Islam Beu, vatanin otoman e njësonte me ligjin e shenjtë, ndërsa Zekije Hanëmin, që shoqëronte burrin e saj në luftë e veshur si mashkull me kostum tradicional shqiptar, pasqyronte besnikërinë e shqiptarëve për Perandorinë. Mesazhi filozofik ishte i qartë. Mëmëdheu i të gjithë otomanëve ishte Perandoria dhe shqiptarët nuk duhej të mendonin për të krijuar shtetin e tyre, por vetëm ti shërbenin Perandorisë. Në vitin 1874, Samiu 24-vjeçar, ndoshta i nxitur nga subjekti i dramës së Namik Qemalit dhe nga mllefi i syrgjynosjes në vitin 1872 në Tripoli të Libisë, shkroi dramën Besa yahud Ahde Vefa, fjala e nderit/ mbajtja e fjalës, me subjekte nga zona e Kurveleshit dhe Borshit. Samiu me aftësi të lartë artistike e ngarkesë emocionale të artikulimeve mjeshtërore të vëna në gojën e personazheve nga Shqipëria, maskonte idetë dhe mendimin e tij politik, që frymëzohej nga filozofia moderne franceze, pasi kishte përkthyer Të mjerët. Si nënshtetas otoman, krahas vatanit të madh – Perandorisë, trajtoi me finesë e guxim dhe vatanin e vogël – Shqipërinë. Ishte koha kur autorë të ndryshëm, shqiptarët i trajtonin si rebelë, të egër e të pabesë, të nxitur nga norma zakonore. Samiu, për kundërvënie e vendos institutin e Besës të së drejtës zakonore për të ngjallur ndjenjën kombëtare si detyrim ndaj kombit shqiptar. Me mjeshtëri, Samiu i përdor subjektet e dramës si një akuzë ndaj Perandorisë, e cila iu dha të drejtat kombëtare rumunëve/ortodoksë dhe latinëve/katolikë, duke ua mohuar shqiptarëve. Mendimi politik i Samiut mbulohet artistikisht kur Zyberi i shtresës së ulët i kujton aristokratit Demir Aga nga Tepelena se ligjet e padishahut nuk bëjnë dallime në të drejta, duke i kujtuar tanzimatin/reformën. Sot padishahu ynë, – thotë Zyberi, – është ai që pranon dhimbje të mëdha për të na mbrojtur jetën, nderin dhe pronën. Ato kohë që ju shquheshit nuk vijnë më, perënduan njëherë e mirë, i drejtohet Zyberi i varfër Demirit të pasur. Përmes elementeve artistike, Samiu kërkonte njohjen e të drejtave kombëtare të munguara e të mohuara. Fuqia e ideve politike të Samiut u shfaq katër vjet më vonë, në vitin 1878 me Lidhjen e Prizrenit, ku u lidh Besa e parisë së vilajeteve dhe u krijuan institucionet e para politike të qeverisjes. Pesë vjet më vonë, idetë u jetësuan duke krijuar Shoqërinë e të shtypurit të shkronjave shqipe, nga katoliku Pashko Vasa, ortodoksët Jani Vreto e Koto Hoxhi dhe myslimanët Hoxha Tahsin e Said Toptani, me kryetar 28-vjeçarin Sami Frashëri. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë u iniciua lidhja Besa-Besë e Pejës me kryetar Haxhi Zekën. Ky harmonizim e kompozim i bashkimit të aktorëve të besimeve të ndryshme është modeli që duhet ndjekur edhe sot, pasi politika anakronike e përçarjes, turpërisht e shndërroi festimin e përvjetorit të Lidhjes së Lezhës në përvjetorin e Përçarjes së Lezhës! Samiu njihet si shkrues i romanit të parë në Perandori, si mbrojtësi europian i të drejtave të gruas me broshurën Kadinlar, si hartuesi i enciklopedisë së parë otomane: Kamus al-Alam/fjalor i emrave të përveçëm, me fakte të historisë, gjeografisë, kulturës, demografisë e të individëve, në gjashtë vëllime e 4380 faqe. Ai gjithashtu njihet si hartues i fjalorit të parë turk Kamus-i Türki, me dyzet mijë fjalë. Fjalori Kamus al-Alam mund të konsiderohet një kumtesë e vërtetë politike për Shqipërinë e shqiptarët, sepse pas botimit të dy vëllimeve të para në vitin 1890, për familjen Frashëri filloi hetimi. Ali Nevzat Efendiu, aristokrat nga Gjirokastra dhe kajmekam i Kazasë, deklaroi se Samiu me Abdylin, që në Janinë kanë qenë për pavarësinë e Shqipërisë. Abdyli më 14
