E Diel, 1 Nëntor 2026

Meningjiti, 4 persona në karantinë në spitalin e Korçës

Trëndafile Krasta dhe Esmaja, nga Memlishti i Pogradecit përfundojnë në karantinë. Bashkë me to, babai dhe një i afërm
Alarm në spitalin e Korçës, dezinfektohen gjithë ambientet. Mjekët: Po reagojnë pozitivisht ndaj mjekimit
Korçë-Dy motra nga rrethi i Pogradecit, babai dhe një i afërm i tyre, kanë përfunduar në karantinë, në spitalin e Korçës, pasi mjekët konfirmuan se ishin prekur nga meningjiti. Sëmundja e rrezikshme ka vënë në alarm spitalin, drejtuesit e të cilit kanë urdhëruar, jo vetëm izolimin e pacienteve, por dezinfektimin e gjithë ambienteve spitalore, nga frika e përhapjes së epidemisë. Trëndafile Krasta, 25-vjeçe, dhe motra e saj, Esmaja, 22-vjeçe, sipas mjekëve të Korçës po mbahen nën vëzhgim të rreptë e bashkë me to gjithë spitali.
Spitali
Fillimisht ka qenë vetëm njëra nga motrat Krasta, e cila ka shkuar si paciente me rekomandimin e mjekëve të Pogradecit.Në rekomandimin e tyre, mjekët e këtij qyteti e drejtuan drejt Korçës me dyshimin se ajo vuante nga sëmundja e leucemisë. Vetëm më pas, gjithçka ka ndryshuar. Mjekët kanë hedhur poshtë dyshimin për leucemi, kur motra tjetër e të sëmurës, që ka shkuar për të shoqëruar motrën e madhe, ka shfaqur të njëjtat shenja, duke ndryshuar menjëherë mendimin e mjekëve të spitalit të juglindjes. Në spitalin e Korçës, mjekët garantojnë se gjithçka është nën kontroll të plotë. Ndërkohë që bluzat e bardha i sheh duke punuar të veshur me maska, ndërsa dhe hyrja për në pavijonet e spitalit është rreptësisht e ndaluar. Asnjë nga të afërmit e pacienteve të tjerë, për të cilët mjekët garantojnë se nuk kanë rrezik për të marrë virusin e sëmundjes ngjitëse, nuk janë lejuar të vizitojnë të sëmurët. Mjekët bëjnë me dije se virusi i meningjitit është shfaqur i njëjtë si në Greqi ashtu dhe në Itali dhe dyshimet e para flasin për sëmundje të ardhur nga jashtë.
Infektimi
Trëndafile Krasta, 25-vjeçare, banore e fshatit Memlisht në Pogradec mbërriti në spitalin rajonal të juglindjes në datën 1 janar. E shoqëruar nga babai, një i afërm tjetër i familjes dhe motra e saj më e vogël, ajo u drejtua për ndihmë në Korçë. E reja, sipas mjekëve që e pritën në urgjencë, shfaqte temperaturë të lartë, që nuk ulej prej shumë orësh, ndërsa kishte dhe të vjella të vazhdueshme. Pas kësaj situate, mjekët e Korçës, sipas rekomandimeve të mjekëve pogradecarë, por dhe analizave të kryera në Korçë pas mbërritjes të pacientëve, dolën në përfundimin se ajo kishte një leukozë akute (leuçemi). Fill pas analizave, nisi mjekimi për leuçemi i 25-vjeçares. Ajo sipas mjekëve, u trajtua me antibiotikë, por situata ndryshoi kur motra e saj, Esmaja 22-vjeçe shfaqi të njëjtat shenja të sëmundjes si Trëndafilja. Esma Krasta, sipas mjekëve, ka qëndruar pranë motrës së vet për ta ndihmuar, ndërsa ka përfunduar si paciente me të njëjtat shenja, temperaturë shumë të lartë dhe të vjella. Menjëherë është thirrur një konsultë e mjekëve të spitalit, të cilët kanë konkluduar në meningjit viral, rastet e të cilit në dy pacientë nga e njëjta familje janë izoluar në repartin e infektivit në spitalin e Korçës. Pas kësaj vajzat kanë përfunduar në karantinë dhe bashkë me to dhe babai i tyre dhe një i afërm i familjes, të cilët dyshohet të jenë të kontaminuar, ndërkohë që edhe ndaj tyre ka nisur një mjekim parandalues me antibiotikë.
Masat në spital
Pas alarmit që ka shkaktuar rasti në fjalë, drejtuesit e spitalit të Korçës kanë marrë masa urgjente për të evituar përhapjen e sëmundjes. Ata kanë bërë dezinfektimin e gjithë spitalit dhe në mënyrë të veçantë ambientin ku kanë qëndruar dy të prekurat nga kjo sëmundje që shkakton deri vdekjen e pacientit. Sipas numrit dy të këtij spitali, mjekut Ilir Koroveshi, situata është nën kontroll të plotë. «Situata është nën kontroll dhe mjekimi duket se ka dhënë efekt»-tha ai. Sipas Koroveshit, pacientet, banuese në fshatin Memlisht në Pogradec kanë nisur të reagojnë pozitivisht. «Pacienteve pas mjekimit të parë iu ka rënë temperatura dhe iu janë ndërprerë të vjellat, çka është thelbësore për këtë sëmundje »- theksoi ai.
Pasojat e meningjitit
Sipas Koroveshit, rreziqet e meningjitit janë të mëdha. «Ajo lë pasoja në tru, por kapja në kohë dhe kurimi i saj në këtë rast duket se kanë kaluar nga rreziku për jetën e dy motrave paciente»- bën me dije nëndrejtori i spitalit. Gjithsesi motrat Krasta janë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa ambienti i tyre në infektiv është rreptësisht i izoluar, deri dhe për mjekët e paautorizuar. Për sa i përket karantinës në të janë përfshirë katër vetë duke përfshirë motrat Trëndafile dhe Esma Krasta, babai i tyre si dhe një i afërm i familjes. Korveshi siguron se të sëmurët e tjerë të shtruar në këtë spital nuk janë në rrezik, pasi masat e mara dhe dezinfektimi i kryer ndaj të gjitha ambienteve dhe klorinimi i tyre është në shkallën më të lartë.
 
Sëmundja
Çfarë është meningjiti
Meningjiti paraqet inflamacion të cipave të trurit, që e mbulojnë trurin dhe palcën kurrizore. Mund të jetë i shkaktuar nga viruset ose nga bakteret. Meningjiti viral zakonisht është më i lehtë, ndërsa meningjiti bakterial paraqet infeksion serioz, që mund të mbarojë me vdekje, nëse nuk jepet shpejtë terapi antibiotike. Sipas mjekëve, sëmundja mund të paraqitet me temperaturë e lartë, dhembje të forta koke, shtangim të qafës, përgjumësi e shprehur ose shqetësim, refuzim i ushqimit, pamundësi që tu përgjigjet pyetjeve të parashtruara. Që të diagnostikohet meningjiti, mjeku duhet të bëjë punkcion lumbal: me gjilpërë hyn në shtyllën kurrizore dhe merr pakëz lëng. Lëngu ekzaminohet nën mikroskop, për prezencën e qelbit dhe baktereve dhe bëhet kulturë, që të shihet nëse ka ndonjë bakter dhe të përcaktohet lloji i bakterit. Trajtimi bëhet vetëm në kushte spitalore dhe përfshin dhënien e antibiotikëve dhe terapi tjetër mbështetëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›