E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Një "Bashkim i Ri" për Shqipërinë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama flet për Dialogun me Shqipërinë, marrëdhëniet me Sali Berishën, qëndrimin e PS-së për reformën zgjedhore e atë në drejtësi si dhe sfidat në krye të Bashkisë së Tiranës.
"Kolegët e mi të opozitës së sotme ndajnë me mua bindjen se oferta e re politike, nuk mund të jetë shumatorja e 5 partive tona"
TIRANË- Kreu i PS-së dhe i Bashkisë së Tiranës nuk do "amnistojë" Fatos Nanon për bashkëpunimin personal me Sali Berishën në dëm të interesave të PS. Rama pranon se muajt e fundit të 2007 ka pasur një ulje të tensionit mes tij dhe Kryeministrit, por kjoështë bërë për interes të vendit dhe për një kulturë politike të re mes forcave politike.
Për ju dhe PS u mbyll viti i dytë opozitar e me siguri keni plot gjëra për të thënë. Nga t'ia fillojmë?
Nga fakti që u mbyll gjysma e vitit të tretë qeverisës për zotin Berisha e të tijtë. Eshtë dimri i tretë që provon se me këtë qeveri s'mund të kemi më shumë drita, s'mund të kemi më shumë arsimim e punësim, s'mund të kemi më shumë prodhim e mirëqenie. Eshtë një Vit i Ri që erdhi me më pak dhurata për fëmijët shqiptarë dhe e gjeti tryezën e festës familjare më të varfër për shkak të rritjes së shumëfishtë të çmimeve.
Po opozitën si e gjen Viti i Ri?
Në Rrugën e Re të Partisë Socialiste! Në një kantier të madh pune për ndërtimin e alternativës së re qeverisëse dhe për një Bashkim të Ri qytetaresh e qytetarësh, përtej kufijve të vjetër të partive politike opozitare e të aleancës mes tyre; në një Dialog me Shqipërinë që do të shtrihet më tutje, në çdo qytet e fshat, për të nxjerrë në dritë Programin e Ri qeverisës; në një proces reformimi rrënjësor të Partisë Socialiste që do të vazhdojë me ripërtëritjen e të gjitha organizatave socialiste përmes zgjedhjeve të reja në çdo organizatë; në rolin e Avokatit të Shqipërisë për t'i mundësuar vendit marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO pranverën e ardhshme, jo vetëm duke kërkuar me këmbëngulje në çdo kontakt me partnerët tanë që vendi ynë të ftohet, por edhe duke u përpjekur pa u lodhur për reformat që kushtëzojnë ftesën.
Dialogu me Shqipërinë duket se ka qenë risia politike e vitit 2007. Ka hasur mjaft skepticizëm në fillim dhe jo pak kritika në vazhdim. Disa analistë ju kanë akuzuar se i largoheni Tiranës ku bëhet politika e ditës e ku s'mund të mungojë lideri i opozitës. Çfarë analize i keni bërë këtij skepticizmi dhe këtyre kritikave?
E vërteta është se në fillim edhe ndër bashkëpunëtorët e mi të afërt kishte skepticizëm. Ndoshta të mësuar me një politikë pa frymëmarrje të gjerë, pa komunikim real me zgjedhësit në periudhat ndërmjet fushatave elektorale, pa kantiere projektesh e as hapësira debati për problemet 'jopolitike" - të cilat janë në fakt problemet e vërteta të njerëzve e të vendit dhe ushqimi i vërtetë i pasionit politik – ata e shikonin pa entuziazëm Dialogun me Shqipërinë. Përgjithësisht e kuptonin si një lëvizje paralele me atë të paralajmëruar nga ish-kryetari dhe asfare si një ndryshim radikal në marrëdhëniet mes partisë e shoqërisë, si një erë të re të ngritur hap pas hapi në të gjithë rrugën time të reformimit rrënjësor të Partisë Socialiste, si një nxjerrje të partisë jashtë shabllonit tradicional për të afirmuar në realitetin shqiptar vetëdijen se të zgjedhurit janë funksion i zgjedhësve dhe vetë partia është funksion i shoqërisë. Të tjerë, ndoshta të mësuar me modelin e vjetër të kryetarit të opozitës që hedh përditë rrufe nga foltorja e selisë së partisë apo që u drejtohet njerëzve vetëm si turmë e gatshme për manifestime urrejtjeje nën dritaret e kryeministrisë, e konsideruan Dialogun me Shqipërinë një arratisje timen nga limani i politikës së Tiranës. Ndërsa për mua, ky keqkuptim i madh ishte bash efekti i pashmangshëm i thellimit të ndryshimit radikal, i thyerjes së kornizës së politikës së vjetër brenda së cilës qeveria sundon dhe opozita ulërin, i nxjerrjes së politikës nga kutia e televizorit për t'i dhënë jetë anepërqark Shqipërisë një projekti të ri politik, i përpjekjes kurajoze për ta kthyer opozitën nga një pasqyrë ku njerëzit shohin deformimet e qeverisjes, edhe në një dritare ku ata mund të vështrojnë të ardhmen ndryshe.
Mendoni se sot opozita është edhe dritarja ku ne mund të shohim të ardhmen ndryshe?
Eshtë një dritare që po hapet, ka ende shumë mund e punë deri në nxjerrjen në dritë të Programit të Ri për Shqipërinë. Dëgjimi intensiv i shqiptareve e shqiptarëve të interesuar për të marrë pjesë drejtpërdrejt në hartimin e këtij programi përmes Dialogut me Shqipërinë do të vazhdojë pa ndërprerje. Mekanizmat e ngritur për ta bërë këtë dëgjim plotësisht të efektshëm, duke i kthyer shqetësimet e njerëzve për të sotmen dhe idetë e tyre për të ardhmen në lëndë programatike për qeverinë e nesërme, po ngrihen dita-ditës. Rreth 70 tryeza vendore janë ngritur nga Bajram Curri në Konispol për të ardhmen e arsimit. Afro 3000 qytetare e qytetarë, pa dallim bindjesh partiake, njerëz të sistemit arsimor të të gjitha niveleve apo edhe prindër e nxënës të dalluar, janë bërë pjesë e Dialogut me Shqipërinë për arsimin. Po përgatiten tryezat rajonale që do startojnë në janar për të bërë sintezat përkatëse. Në 308 komunat e Shqipërisë, po edhe në një sërë bashkish që administrojnë hapësira rurale, po ngrihen tryezat e bujqësisë, blegtorisë e zhvillimit rural, ku parashohim pjesëmarrjen e së paku 10 mijë bujqve, fermerëve, agronomëve dhe ekspertëve të sektorit për të mbledhur të dhëna absolutisht të domosdoshme jo vetëm për gjendjen reale, po edhe për potencialet e idetë për të ardhmen. Kriza e mjedisit po diskutohet në tryeza rajonale ambientalistësh e specialistësh, të cilët me shumë entuziazëm po shfrytëzojnë rastin e parë në këto 17 vjet që një parti politike u jep fjalën për të shkruar së bashku me ta programin e saj qeverisës. Ky do të jetë një program me një përmasë të gjelbër, siç do të jetë vetë Partia Socialiste zëdhënësja dhe jetësuesja e një politike të re mjedisore.Të tjera tema të mëdha do të diskutohen me publikun në muajt në vijim e do të bëhen, më pas, objekt debatesh të thelluara në të tjera tryeza pune. Ashtu sikundër grupe ekspertësh, në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë të nivelit më të lartë, kanë filluar apo do të nisin së shpejti punën për Politikën e Re Ekonomike, për Investimet e Huaja direkte, për Mirëqeverisjen – nga reformimi strukturor i institucioneve shtetërore dhe rikonceptimi i marrëdhënieve ndërinstitucionale deri tek strategjia e re e burimeve njerëzore. Politika e Re për Energjinë, Ujin, Kontrollin dheAdministrimin e Territorit, për reformën e Shërbimit Diplomatik e të tjera në vijim janë pjesë e kantierit të Programit të Ri. Pra siç e shihni dritarja po hapet dita-ditës dhe në kohën e duhur ajo do të shpërfaqë përpara shqiptareve e shqiptarëve, zgjedhësve të këtij vendi, një pamje të qartë mbi atdheun sesi mund të jetë nesër falë votës së tyre për Partinë Socialiste e për opozitën e sotme.
Ju keni folur shpesh kohët e fundit për një bashkim të ri përtej kufijve të vjetër të partive politike opozitare. A nuk i druheni qejfmbetjes së aleatëve tuaj "të vjetër", me të cilët gjendeni tani edhe në fushën e minuar të reformës zgjedhore?
Bashkimi i Ri nuk përjashton asnjërin prej aleatëve. Kufijtë e vjetër përtej të cilëve duhet t'i japim jetë Bashkimit të Ri, nga këndvështrimi im, janë në radhë të parë kufijtë e trashëguar të Partisë Socialiste, të cilët sot janë të hapur por kjo ende nuk mjafton. Sepse nuk mjafton që një parti të jetë realisht e hapur për të mirëpritur e anëtarësuar njerëz të rinj, për të dëgjuar me mirësjellje opinionet e atyre që s'janë pjesë e saj, për të riparë programin dhe qëndrimet e veta lidhur me çështje të ndryshme.Ky është tanimë një realitet i prekshëm në PS, por për mua përbën vetëm një fazë të ndërmjetme drejt një stadi tjetër, ku partia kthehet në një instrument në duart e cilitdo që dëshiron ta përdorë në funksion të një vizioni të caktuar, të disa parimeve e vlerave të përbashkëta, të ideve e të ambicieve të veta në shërbim të shoqërisë. E thënë ndryshe, drejt një stadi ku partia shkon tek shoqëria, tek njerëzit dhe problemet e tyre, ku përfaqësuesi i partisë, nga kryetari i organizatës deri tek kryetari i saj, bëhet katalizatori i bashkëveprimit mes qytetarit dhe forumeve të partisë në të gjitha nivelet, ku s'ka më kufij të vjetër ndarës po një hapësirë ndërvepruese mes anëtarit, mbështetësit apo qytetarit në nevojë për t'u dëgjuar e konsideruar. Ngjitjen drejt këtij stadi shënon Dialogu me Shqipërinë. Bashkimi i Ri është një nevojë e shoqërisë së sotme shqiptare për t'u ndarë nga politika e vjetër, për t'i kapërcyer klishetë paralizuese të së majtës e së djathtës së vjetër, për t'i dhënë Shqipërisë një energji të re morale dhe një aftësi të re qeverisëse, përtej performancës zhgënjyese të partive shqiptare gjatë këtyre 17 vjetëve. Besoj se edhe kolegët e mi të opozitës së sotme ndajnë me mua bindjen se oferta e re politike, për shqiptaret e shqiptarët e gënjyer dhe zhgënjyer 17 vjet rresht përpara pasqyrave të tranzicionit më të gjatë në botën postkomuniste, nuk mund të jetë thjesht shumatorja aritmetike e pesë partive tona. Unë s'kam asnjë interes për politikën e aritmetikës apo për fitoret aritmetike. Ne s'na duhet një fitore për ta zbritur nga kali këtë maxhorancë të dështuar dhe për të kalëruar pushtetin në vend të saj. Ne na duhet një fitore për të ndryshuar Shqipërinë. Ne na duhet jo vetëm vota, por shpirti e mendja e çdo shqiptareje e shqiptari që sot s'gjen dot paqe shpirtërore e as arsye të mjaftueshme për t'u dorëzuar përballë këtij niveli mizerabël qeverisjeje, këtij rezultati dëshpërues të 17 vjetëve dështime të njëpasnjëshme, këtij realiteti politik, ekonomik e shoqëror fyes për dinjitetin tonë si komb e si qytetarë të Europës.
Harruat reformën zgjedhore! Vetëm ju, pra PS-ja, nuk ka folur për preferencën e saj për sistemin. Cila është përqasja juaj në këtë aspekt kaq të rëndësishëm për jetën demokratike garancitë për lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve?
Jo nuk e harrova aspak, i erdhi radha. Përqasja jonë është se s'duhet e s'mund të biem në kurthin e një debati shterpë për sistemin pa garantuar një bazë të përbashkët e solide për të shmangur, në radhë të parë, të këqijat e mëdha të zgjedhjeve gjatë këtyre 17 vjetëve. Që nuk na kanë ardhur nga sistemet zgjedhore, po nga mungesa e një infrastrukture zgjedhore normale si edhe nga mungesa e vullnetit demokratik të partive politike. Të cilat janë tallur keqas me shqiptarët duke shkelur mbi vullnetin e popullit në forma të ndryshme, nga më brutalet si në 1996-ën tek më grotesket si në 2005-ën.
Dhe për të shmangur përsëritjen e avazit të vjetër të 17 vjetëve, mbështetur edhe në rekomandimet e ODHIR-it e të Komisionit të Venecias, ne kemi përcaktuar "5 JO"-të e domosdoshme! Sipas nesh, "5 JO"-të garantojnë bazën e përbashkët e solide për të ecur më tutje drejt pohimit të një sistemi të caktuar e të disa rregullave të domosdoshme për funksionimin normal të procesit zgjedhor. Jo zgjedhjeve pa karta identiteti. Jo zgjedhjeve pa lista që burojnë nga Regjistri Kombëtar i Zgjedhësve. Jo zgjedhjeve me votim mbi "fletët e Dushkut". Jo zgjedhjeve me kandidatë që rirenditen nga vetë partitë pas zgjedhjeve. Jo zgjedhjeve pa një prag elektoral të paktën 2,5%. Për të gjitha të tjerat jemi të hapur. Po të analizoni këtë pozicion, do të kuptoni se jemi një hap përpara të tjerëve në rrugën e Reformës Zgjedhore dhe tërësisht në dispozicion të aleatëve tanë e të palës tjetër për të vijuar punën gjithëpërfshirëse mbi këtë bazë ku presim të bashkohen të gjithë.
Ndërkohë nëpërmjet kryetares së Grupit Parlamentar, deklaruat së fundmi se jeni të hapur edhe për Reformën në Drejtësi. A e konfirmoni këtë sepse pas zgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme dhe asaj që ju e quajtët "humbja e shansit" të Presidentit Topi për të qenë president i të gjithëve, u duk sikur Partia Socialiste e braktisi pa kthim tryezën e Reformës në Drejtësi?
Për Reformën në Drejtësi, ashtu si edhe për 4 reforma të tjera të mëdha, përkatësisht Zgjedhoren, të Territorit, të Decentralizimit dhe të Administratës Publike, unë iu drejtova Kryeministrit menjëherë pas fitores së zgjedhjeve të 18 shkurtit, duke i shtrirë publikisht dorën e bashkëpunimit, në emër të interesave të mëdha të Shqipërisë e të shqiptarëve për të modernizuar shtetin e për të shpejtuar hapat drejt NATO-s e Bashkimit Europian. Pa bërë historinë e kësaj historie tipike për Politikën e Vjetër shqiptare, mund të them vetëm se reformat janë vokacioni im i brendshëm dhe angazhimi im për to s'mund të kushtëzohet nga asnjë konjukturë negative. Sepse unë politikën e jetoj si një pasion për të ndryshuar rrënjësisht gjërat dhe ndryshimet e mëdha bëhen vetëm përmes reformash të mëdha. Këtë vokacion ka e do të shprehë në vijimësi edhe Partia Socialiste. Çështja është se reformat në fjalë, pra reformat e shtetit, kudo në botën demokratike bëhen me frymë bipartizane, me bashkëpunim mes kampeve. Si të tilla i parasheh edhe Kushtetuta jonë. Pra duhen dy palë dhe deri më sot pala tjetër s'ka treguar shpirt reformues, po vetëm vullnet deformues e korruptues të institucioneve. Këtu e ka burimin skepticizmi ynë për Reformën në Drejtësi.
Megjithatë periudha e fundit të vitit është karakterizuar nga një shtensionim i dukshëm në marrëdhëniet mes jush dhe Kryeministrit Berisha. Si ndodhi që pas 17 vjetësh ju rigjetët njëri-tjetrin jo më në kushtet e luftës pa asnjë rezervë, po në kushtet e partneritetit për arsye shtetërore?
Me shaka i thashë një kolegut tuaj që më bëri të njëjtën pyetje se tre "të rrahura" në betejat direkte me mua, në 2000 e 2003 dhe sidomos në shkurt 2007, ndoshta i kanë bërë mirë Berishës, por shakaja është gjysma e së vërtetës. Gjysmën tjetër mua më pëlqen ta shoh edhe tek përpjekja ime këmbëngulëse në krye të PS për t'u ndarë nga politika e vjetër e baltës dhe telenovelave. Duke i dhënë politikës pasionin e ndërtimit jo të shkatërrimit, pasionin e betejës për idealet dhe idetë e ndryshme jo të luftës së njeriut me njeriun, pasionin e argumenteve jo të përbaltjes së tjetrit, duke e trajtuar edhe vetë Berishën si kundërshtar - të paaftë e gënjeshtar sa të duash - por jo si një armik për jetë a vdekje, unë besoj se po kontribuoj bashkë me PS që në Shqipëri të krijohet një kulturë e re e bashkëjetesës demokratike mes forcave politike dhe njerëzve që i përfaqësojnë.
Dhe në fakt s'ka ndodhur asgjë e çuditshme nëse, për shembull, jemi gjendur në tryezën e pritjes për Kryeministrin Prodi ku kam nderuar mikun e madh të Shqipërisë, duke iu përgjigjur ftesës së Kryeministrit shqiptar në koherencë të plotë me pikëpamjen time se miqtë e partnerët ndërkombëtarë s'duhet të shohin më kurrë një opozitë shqiptare që u zbraz në tavolinë thesin me baltën e politikës së vjetër të vendit, një opozitë shqiptare që nuk është Avokati i Shqipërisë po një problem më shumë për vendin, një opozitë shqiptare që ua bën atyre të bezdisshme vetë Shqipërinë. E çuditshme ka qenë e kundërta dhe, meqë çudia ishte bërë rutinë për 17 vjet, sot e për disa kohë gjëra krejt normale do duken ende fort të çuditshme. Sidomos për median që është mësuar të ushqehet me politikën e vjetër të baltës e të telenovelave.
Ju uleni tanimë me Kryeministrin për arsye protokollare, po edhe për të bashkëpunuar për çështjet e pushtetit vendor a të reformave, por a keni ndërmend të bëni një hap mbrapa e ta amnistoni Nanon për bashkëpunimin e tij me Berishën?
Padashje e bëtë dallimin në vetë formulimin e pyetjes suaj. Unë ulem me Kryeministrin për të nxitur mbarëvajtjen e punëve të shtetit, duke bërë detyrën time si kryetar i opozitës dhe i Bashkisë së Kryeqytetit. Kurse Nano bashkëpunon me Berishën për të penguar e dëmtuar opozitën dhe Partinë Socialiste në funksion të epshit të tij për pushtet personal e të realizimit të interesave krejt vetjake. Pra, e thënë shkoqur, unë jam gati të ulem e të bashkëpunoj me Kryeministrin për interesat e vendit, ndërsa Nano me Berishën janë bërë njësh me njëri-tjetrin vetëm për interesat e Saliut e të Fatosit. Por të dy kanë dalë e do të dalin përsëri të humbur nga davaja e tyre e interesave vetjake dhe pushtetit personal në kurriz të interesave të Shqipërisë e të shqiptarëve.
Bashkia e Tiranës! Si e gjen Viti i Ri Bashkinë e Tiranës?
Gati për ndryshimin e ri! Pas zgjedhjeve të shkurtit unë i bëra të qartë ekipit të bashkisë se ishte koha e një Fillimi të Ri, sepse çdo institucion dhe organizatë që nuk jeton me pasionin e vetëndryshimit e që nuk përballet vijimësisht me kohën, është e destinuar të mpihet e të atrofizohet. Dhe me ndihmën e një ekspertize të nivelit të lartë ndërkombëtar i hymë punës për një reformë radikale të institucionit, bazuar në vetëdijen që tanimë është koha për t'u krahasuar jo më me pikën nga u nisëm në vitin 2000, po me pikën ku duam të mbërrijmë, jo më me të shkuarën po me të ardhmen, jo më me institucionet e ngathta të shtetit shqiptar, po me institucionet simotra të Europës ku duam të integrohemi. Analiza funksionale që u bë sipas standardeve ndërkombëtare ishte "e pamëshirshme". Dobësitë strukturore u evidentuan pa asnjë kompromis me veten. Reforma e re strukturore u konceptua me kurajo nga një këndvështrim krejt i ri, dhe pasi u diskutua gjerë e gjatë mes nesh, u finalizua e mori miratimin e Këshillit Bashkiak. Me t'u çelur viti, puna do të nisë me një strukturë të re dhe ekipi do të rikompozohet tërësisht, duke i dhënë çdo drejtuesi e sektori një motivim të ri për sfida të reja. Unë kam bindjen e plotë se ky ndryshim strukturor radikal do të reflektohet shpejt në një ritëm të ri të punës së Bashkisë së Tiranës dhe padyshim në arritje të reja në shërbim të kryeqytetit e kryeqytetasve.
Cilat janë sfidat e reja?
E para dhe prioriteti ynë absolut është Tirana e pastër. Jam i vetëdijshëm për domosdoshmërinë e një cilësie të re në punën e Bashkisë së Tiranës për sa i takon shërbimit të pastrimit. Gjendja aktualisht nuk është aspak e kënaqshme dhe qytetarët kanë plotësisht të drejtë të ankohen për punën e kompanive të pastrimit, veçanërisht në krahun perëndimor të qytetit ku ka pika mjaft të nxehta e absolutisht të patolerueshme. Nuk është ky vendi për të renditur arsyet objektive për këtë situatë, por është rasti për t'i siguruar të gjithë kryeqytetasit se unë jam tërësisht i fokusuar për të hapur një faqe të re në këtë drejtim. Dhe kam bindjen se në pranverë çdo qytetare dhe qytetar i Tiranës do të fillojë të prekë me sy ndryshimin rrënjësor, në rrugën e realizimit të objektivit "Tirana qyteti më i pastër i Shqipërisë" në vitin 2011. Po ashtu do të përmirësojmë ndjeshëm cilësinë e të gjitha shërbimeve tona, ndër të cilat shpresoj të jetë edhe furnizimi me ujë në rast se qeveria kryen një transferim normal të kësaj përgjegjësie në duart e Bashkisë së Tiranës, e cila ende, pavarësisht deklaratave të Kryeministrit, nuk ka asgjë në dorë në lidhje me ujin. Njëkohësisht do të hapim kantierin më të madh të investimeve publike në historinë e kryeqytetit.
Pra Viti i Ri nuk do të jetë vetëm viti i punës intensive me partinë për kryetarin e opozitës e të Bashkisë së Tiranës?
Në asnjë mënyrë jo. Ekipi im i ngushtë ka punuar gjatë gjithë dhjetorit për axhendën e punës sime për vitin 2008 dhe ka detajuar axhendën e tre muajve të parë. Ju siguroj se ka edhe më shumë angazhim në të dyja frontet, të cilat, t'ju them të drejtën, për mua janë një front i vetëm: Fronti i punës për të ndryshuar Tiranën dhe gjithë Shqipërinë. Gëzuar Vitin e Ri dhe çdo të mirë për ju e për lexuesit tuaj!
Dialogu me Shqipërinë
"Ky keqkuptim i madh ishte bash efekti i pashmangshëm i thellimit të ndryshimit radikal, i thyerjes së kornizës së politikës së vjetër brenda së cilës qeveria sundon dhe opozita ulërin, i nxjerrjes së politikës nga kutia e televizorit për t'i dhënë jetë anepërqark Shqipërisë një projekti të ri politik, i përpjekjes kurajoze për ta kthyer opozitën nga një pasqyrë ku njerëzit shohin deformimet e qeverisjes, edhe në një dritare ku ata mund të vështrojnë të ardhmen ndryshe"
"Rreth 70 tryeza vendore janë ngritur nga Bajram Curri në Konispol për të ardhmen e arsimit. Afro 3000 qytetare e qytetarë, pa dallim bindjesh partiake, njerëz të sistemit arsimor të të gjitha niveleve apo edhe prindër e nxënës të dalluar, janë bërë pjesë e Dialogut me Shqipërinë për arsimin. Po përgatiten tryezat rajonale që do startojnë në janar për të bërë sintezat përkatëse. Në 308 komunat e Shqipërisë, po edhe në një sërë bashkish që administrojnë hapësira rurale, po ngrihen tryezat e bujqësisë
Sfidat ne te ardhmen
"Të tjera tema të mëdha do të diskutohen me publikun në muajt në vijim e do të bëhen, më pas, objekt debatesh të thelluara në të tjera tryeza pune. Ashtu sikundër grupe ekspertësh, në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë të nivelit më të lartë, kanë filluar apo do të nisin së shpejti punën për Politikën e Re Ekonomike, për Investimet e Huaja direkte, për Mirëqeverisjen – nga reformimi strukturor i institucioneve shtetërore dhe rikonceptimi i marrëdhënieve ndërinstitucionale deri tek strategjia e re e burimeve njerëzore"
Për Bashkimin e Ri
"Bashkimi i Ri nuk përjashton asnjërin prej aleatëve. Kufijtë e vjetër përtej të cilëve duhet t'i japim jetë Bashkimit të Ri, nga këndvështrimi im, janë në radhë të parë kufijtë e trashëguar të Partisë Socialiste, të cilët sot janë të hapur por kjo ende nuk mjafton. Sepse nuk mjafton që një parti të jetë realisht e hapur për të mirëpritur e anëtarësuar njerëz të rinj, për të dëgjuar me mirësjellje opinionet e atyre që s'janë pjesë e saj, për të riparë programin dhe qëndrimet e veta lidhur me çështje të ndryshme".
"Bashkimi i Ri është një nevojë e shoqërisë së sotme shqiptare për t'u ndarë nga politika e vjetër, për t'i kapërcyer klishetë paralizuese të së majtës e së djathtës së vjetër, për t'i dhënë Shqipërisë një energji të re morale dhe një aftësi të re qeverisëse, përtej performancës zhgënjyese të partive shqiptare gjatë këtyre 17 vjetëve. Besoj se edhe kolegët e mi të opozitës së sotme ndajnë me mua bindjen se oferta e re politike, për shqiptaret e shqiptarët e gënjyer dhe zhgënjyer 17 vjet rresht përpara pasqyrave të tranzicionit më të gjatë në botën postkomuniste, nuk mund të jetë thjesht shumatorja aritmetike e pesë partive tona"
Synimi i PS
"Ne s'na duhet një fitore për ta zbritur nga kali këtë maxhorancë të dështuar dhe për të kalëruar pushtetin në vend të saj. Ne na duhet një fitore për të ndryshuar Shqipërinë. Ne na duhet jo vetëm vota, por shpirti e mendja e çdo shqiptareje e shqiptari që sot s'gjen dot paqe shpirtërore e as arsye të mjaftueshme për t'u dorëzuar përballë këtij niveli mizerabël qeverisjeje, këtij rezultati dëshpërues të 17 vjetëve dështime të njëpasnjëshme, këtij realiteti politik, ekonomik e shoqëror fyes për dinjitetin tonë si komb e si qytetarë të Europës".
"5 JO"-të e PS
"Jo zgjedhjeve pa karta identiteti. Jo zgjedhjeve pa lista që burojnë nga Regjistri Kombëtar i Zgjedhësve. Jo zgjedhjeve me votim mbi "fletët e Dushkut". Jo zgjedhjeve me kandidatë që rirenditen nga vetë partitë pas zgjedhjeve. Jo zgjedhjeve pa një prag elektoral të paktën 2,5%. Për të gjitha të tjerat jemi të hapur. Po të analizoni këtë pozicion, do të kuptoni se jemi një hap përpara të tjerëve në rrugën e Reformës Zgjedhore dhe tërësisht në dispozicion të aleatëve tanë e të palës tjetër për të vijuar punën gjithëpërfshirëse mbi këtë bazë ku presim të bashkohen të gjithë".
Për marrëdhëniet me Berishën
"Duke i dhënë politikës pasionin e ndërtimit jo të shkatërrimit, pasionin e betejës për idealet dhe idetë e ndryshme jo të luftës së njeriut me njeriun, pasionin e argumenteve jo të përbaltjes së tjetrit, duke e trajtuar edhe vetë Berishën si kundërshtar - të paaftë e gënjeshtar sa të duash - por jo si një armik për jetë a vdekje, unë besoj se po kontribuoj bashkë me PS që në Shqipëri të krijohet një kulturë e re e bashkëjetesës demokratike mes forcave politike dhe njerëzve që i përfaqësojnë".
Për një rifillim me Nanon
"E thënë shkoqur, unë jam gati të ulem e të bashkëpunoj me Kryeministrin për interesat e vendit, ndërsa Nano me Berishën janë bërë njësh me njëri-tjetrin vetëm për interesat e Saliut e të Fatosit. Por të dy kanë dalë e do të dalin përsëri të humbur nga davaja e tyre e interesave vetjake dhe pushtetit personal në kurriz të interesave të Shqipërisë e të shqiptarëve".
2008 për Bashkinë e Tiranës
"Me t'u çelur viti, puna do të nisë me një strukturë të re dhe ekipi do të rikompozohet tërësisht, duke i dhënë çdo drejtuesi e sektori një motivim të ri për sfida të reja. Unë kam bindjen e plotë se ky ndryshim strukturor radikal do të reflektohet shpejt në një ritëm të ri të punës së Bashkisë së Tiranës dhe padyshim në arritje të reja në shërbim të kryeqytetit e kryeqytetasve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›