Shtohen sportelet, normalizohet situata në Kakavijë
Pas radhës 4 km për shkak të defektit në kompjutera puna nis normalisht. Dalin 7 mijë emigrantë
KAKAVIJË- Normalizohet situata në Stacionin e Policisë Kufitare të Kakavijës. Pas radhëve mjaft të gjata deri në 4 kilometër për shkak të një defekti të shkaktuar në sistemin kompjuterik, gjatë së enjtes, gjendja ka qenë krejt ndryshe. Për të shmangur orët e pritjes, pala shqiptare në këtë pikë punon me 10 sportele në dalje dhe 3 në hyrje, ndërsa pas takimeve me palën greke, nga këta të fundit është bërë e mundur çelja edhe e 2 sporteleve të tjera në hyrje, duke e çuar në 6 numrin e tyre të përgjithshëm të vendosur në shërbim të emigrantëve shqiptarë. Gjithashtu, sikurse edhe në sezone të tjera, drejtuesit e pikës greke të Kakavijës kanë kërkuar nga emigrantët që gjatë kthimit të tyre për në Greqi të përdorin edhe pikat e tjera kufitare në rajonin jugor, si vendkalimin e Tri Urave në Përmet, atë të Qafë Botit si dhe portin e Sarandës. Gjatë 24 orëve të fundit janë larguar drejt Greqisë rreth 7 mijë shtetas, ndërsa përgjatë tri ditëve të para të këtij viti numri i tyre arrin në rreth 20 mijë. Dhjetëditëshi i parë i këtij muaji pritet të ketë fluksin më të madh të largimeve.