Mensë jo vetëm për studentët, në Shkodër, rritet me 35% numri i akomodimeve në konvikt

Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve në Shkodër vijon të përmirësojë shërbimet dhe kushtet e akomodimit për studentët, duke i përafruar ato me standardet bashkëkohore.
Sipas drejtueses së këtij institucioni Sindis Kopliku, numri i studentëve të akomoduar këtë vit është rritur me 35 për qind krahasuar me një vit më parë.
“Kemi vënë re rritje të studentëve qoftë për degët përzgjedhëse të cilat kanë startuar vitin e parë, qoftë dhe për akomodimin në konvikt që është një numër i konsiderueshëm. Rritja nga viti i kaluar në këtë vit është me 35%.”, u shpreh Kopliku.
Shërbimi më i ri i cili ofrohet në konvikt është edhe mensa e rikonstruktuar dhe pajisur me standardet bashkëkohore, duke ofruar një ambient të pastër dhe të aksesueshëm.
“Kemi 2 muaj që është hapur si shërbim i ri në qytetin tonë dhe kryesisht primar janë studentët dhe qytetarët”, tha ajo.
Me një tarifë minimale prej 5 mijë lekësh në muaj, me të gjitha të përfshira, Ndërmarrja e Trajtimit të Studenteve sot me kushtet që ofron ka krijuar një mundësi reale për të rinjtë.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/