E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhurim gjaku për talasemikët, “Ti je shpresë për dikë- jepi jetës një mundësi më shumë”

Nën moton “Ti je shpresë për dikë, jepi jetës një mundësi më shumë”, studentët e fakultetit ekonomik në Shkodër u bënë bashkë për të dhuruar gjak. Koordinatorja e Kryqit të Kuq në Shkodër u shpreh se ndërgjegjësimi i të rinjve po rritet çdo vit por fatkeqësisht edhe nevojat për gjak janë të mëdha.

“E veçantë e këtij sesioni dhurimi gjaku është bashkëpunimi me klubet studentore të Fakultetit Ekonomik dhe atij të Shkencave të Natyrës. Sot seanca realizohet në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe të gjitha njësit do të shkojnë për pacientët talasemik”, u shpreh Vera Gjinaj, Koordinatore, Kryqi i Kuq, Dega Shkodër.

Përfaqësues të klubeve studentore apeluan drejt studentëve por edhe pedagogëve që të bëhen bashkë në këtë akt humanitar për të dhuruar gjak.

“Është një akt humanitar dhe i bëjmë thirrje të gjithë vullnetarëve që kanë dëshirë të vijnë dhe të dhurojnë për të shpëtuar një jetë”, tha një vullnetare.

“Dhurimi i gjakut është i rëndësishëm dhe në i bëjmë thirrje të gjithëve që munden të dhurojnë gjak”, tha një vullnetare tjetër.

Mjekët dhe infermierët e Qendrës së Transfuzionit garantuan një proces të sigurt e profesional për çdo dhurues. Nevoja për gjak mbetet e përhershme ndaj edhe një gjest i vogël mund të bëhet shpresë për dikë në momentin më të vështirë. Sasitë e dhuruara në këtë seancë do të shkojnë për fëmijët talasemikë që trajtohen në Tiranë.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›