Mentor Haziri shqip në MTV
“Ëngjëll”, kënga e dytë në kanalin muzikor më të njohur në botë
Fati ka qenë me të edhe këtë herë. Talenti dhe suksesi i projektit të parë “Tonight is your Night” ishte zanafilla e një rruge që duket se ka marrë drejtimin vetëm për në MTV, televizionin më të njohur muzikor në botë. Mentor Haziri, lideri i grupit “Kthjellu”, i vlerësuar në Shqipëri dhe Kosovë me mjaft çmime muzikore, prej dy vjetësh i ka kaluar hapësirat mbarë shqiptare, duke bërë që zëri i tij të dëgjohet edhe më tej. E nëse kënga “Tonight is your Night” ishte një këngë që mbështetej nga MTV, në kuadër të një projekti kundër drogës, tashmë Mentori do të lançojë një këngë individuale, që është realizuar dhe që pritet të shënojë një sukses të artistit. Kënga ka për kompozitor, hitbërësin Flori Mumajesi dhe titullohet “Engjëll”. Sipas Mentorit, “kënga nis transmetimin sot në televizionet shqiptare, ndërsa pas pak ditësh ajo do të jetë në rrjetin më të madh muzikor botëror MTV”. E veçanta e kësaj kënge, ndryshe nga projekti i parë, është se në MTV Networks kënga do të transmetohet në gjuhën shqipe. Përveç kësaj, Mentori është duke u përgatitur për projekte shumë të mëdha, si ato hollywoodiane, të cilat do t’i zbulojmë më vonë.