E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mercenarizëm i shartuar me globalizëm

Të kritikosh disa shfaqje të globalizmit, që zbehin sadopak identitetin e një kombi, s’duhen krijuar keqkuptime. Konkretisht, ajo që dua të shpreh këtu ka të bëjë me një dukuri të vërshimit dhe përmbytjes gjithnjë e më shumë të kampionatit tonë të futbollit prej lojtarëve të huaj, ardhur prej çdo kontinenti dhe pa asnjë nivel të spikatur cilësor. Në këto kohëra fatlume për ne, kur bota është e hapur për të gjithë, arti dhe sportet veçanërisht kanë mundur të përfshihen më shumë në këtë shtjellë. Ne jemi dëshmitarë të ngulimeve nëpër vende të ndryshme të mjaft emrave shqiptarë, që me pasion e punë të vazhdueshme po përpiqen t’ia forcojnë edhe më tepër identitetin kombit të tyre. E, ndërsa shembujt e panumërt na çojnë tek njerëzit tanë të shquar nëpër botë, dukuria e këtij globalizmi ka shërbyer si bumerang mbrenda kufijve tanë, ku gjithashtu prurjet e të huajve, sidomos të futbollistëve, (ardhur kushedi prej nga ku!?), i kanë kthyer kampionatet tona në një garë aspak të këndshme, kopje tepër e shëmtuar e asaj që shihet nëpër vendet e tjera. Ndërsa të tjerët kanë kërkesa skrupuloze për t’i marrë më të mirën ajkës së një vendi, siç po ndodh me këngëtarët tanë lirikë që po shkëlqejnë në të gjitha skenat e famshme të botës së qytetëruar, apo ndonjë personalitet i tillë si Igli Tare, që, nga lojtar i kampionatit dhe i Kombëtares sonë, arriti të bëjë karrierë të suksesshme edhe në kampionate të tilla si në Gjermani dhe në Serinë A italiane, duke qenë aktualisht i vetmi shqiptar me pozitën më të lartë drejtuese në një klub të famshëm futbollistik si ai i Lacios, përkundrazi, tek ne ka vërshuar llumi i të huajve që pa asnjë përpjekje dhe pa asnjë rivalitet e meritë, u kanë zënë vendin të rinjve tanë, që për këtë shkak nuk u jepet mundësia e shprehjes së aftësive të tyre!!! Të ishte si në rastin e tanëve, që për të kapur një vend elitar në botën e jashtme, u duhet të kalojnë nëpër vrimën e gjilpërës, kjo do të ishte normale edhe për të huajt që zbarkojnë këtu, por siç po shihet, më shumë se cilësi prej këtyre të huajve, kemi parë vetëm një mall pa vlerë, që nuk i shërben askujt. Rasti i një italiani 26-vjeçar, pa asnjë identitet futbollistik, i cili prej gushtit të këtij viti ka nënshkruar një kontratë prej 3000 eurosh në muaj, as më pak dhe as më shumë, por për klubin më të famshëm e më të suksesshëm në Shqipëri - Tiranën, duke mos luajtur asnjë ndeshje kampionati deri tani, është shembulli më banal i këtyre prurjeve të dëmshme tek ne. Pasi pushtoi kategorinë superiore, malli i huaj skarco ka arritur të depërtojë deri edhe nëpër ekipe të tilla skajore, si në Gramsh, Pukë dhe Ersekë... Kjo që po ndodh tek ne, nuk ka fare ngjashmëri me vendet e tjera ku ky lloj globalizmi ka një gjenezë më të hershme dhe një përhapje shumë më të gjerë, sepse ndryshe nga këtu ku vegjetojnë ca tipa mercenarësh të paguar për një copë bukë dhe që s’japin asgjë, atje - nëpër botë luajnë “mercenarë” të tillë, mjeshtër të përkryer të futbollit, si p.sh. Samuel Etto, i cili, duke u paguar me 20 milionë euro në një sezon, si askush tjetër sot në botë, ka pranuar që të luajë edhe në një humbëtirë të hapësirave të pafundme të Rusisë, që ka një skuadër me emrin Anzhi! Për të mos folur edhe për ndonjë kampionat si ai i fqinjit tonë grek, (që dikujt i pëlqen ta krahasojë me këtë tonin(!?), paçka se Kombëtarja e atij vendi është thuajse vazhdimisht e pranishme nëpër finale botërore dhe europiane, madje duke e fituar këtë të fundit), që edhe kur pranon të aktivizojë të huaj në garën e vet, merr ata më të mirët, përfshi edhe kampionë bote, si p.sh. Rivaldo dhe të tjerë të famshëm, që në mos tjetër, i shërbejnë marketingut për të mbushur stadiumet, të cilët tek ne i kanë humbur plotësisht spektatorët. Vërshimi i të huajve-pa vlerë, që thuhet se gjenden me shumicë tek kërkojnë punë shesheve të metropoleve europiane, si në Omonia të Athinës p.sh., ka ndikuar edhe më shumë në prishjen e imazhit të futbollit tonë, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në sytë e ndërkombëtarëve, siç po ndodh aktualisht me FIFA-n, kur na akuzon si borxhlinj për pagesat ende të pashlyera të kontratave ndaj disa “mercenarëve”, që në sajë të këtij globalizmi erdhën këtu, panë, por nuk dihet se kush doli i fituar...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›