Shkarjet masive bllokojnë hekurudhën
Shkarjet masive të dheut kanë bllokuar vijën hekurudhore që përshkon Qarkun e Fierit. Sipas drejtorit të Hekurudhës së Qarkut Fier, Mustafa Gashi, mësohet se hekurudha është bllokuar në tre vende. “Shkarjet kanë bllokuar vijën hekurudhore në: Vanaj, Rrethlibofshë dhe Levan. Kodrat që janë pranë këtyre tri zonave kanë rrëshqitur dhe për pasojë masivë dheu kanë rënë mbi hekurudhë. Dy trena transporti janë bllokuar gjatë linjës që përshkonin”, ka thënë për “Shqip” Gashi. Mësohet se dy mjetet e transportit hekurudhor kanë qenë të ngarkuara me gaz dhe çimento. Pas njoftimit për bllokim të vijës hekurudhore, Drejtoria e Hekurudhës së Qarkut Fier ka njoftuar stacionet fqinje për mosnisjen e asnjë treni pasagjerësh. Kështu që, nga e enjtja, për Fierin është ndërprerë edhe shërbimi i transportit hekurudhor për pasagjerët dhe mallrat. Pasditen e së premtes vija hekurudhore është hapur, ndërsa mësohet se shërbimi i transportit të mallrave dhe pasagjerëve do të nisë të dielën.
#