Merilin Monro mes Kenedëve, filmave, spiunazhit dhe misterit të vdekjes
Ai korrik i mallkuar i vitit 1962 po shoqërohej me një të nxehtë mbytës. E mbyllur në shtëpinë e saj në Brentwood, Merilin nuk e kishte marrë ende veten nga trauma për dhunën e marrë gjatë pritës në apartamentin “Cal-Neva Lodge” në Las Vegas. Mbi trupin e saj vëreheshin ende shenjat e torturave, të bëra nga batakçinjtë nën urdhrat e Sem Xhiankana dhe nën vëzhgimin e Frank Sinatras. Ajo që i dhembte më shumë ishte ideja që kishte pësuar atë sulm pikërisht nga njerëzit prej të cilëve nuk e priste kurrë një sjellje kaq të keqe dhe të dhunshme. Ndiente një zhgënjim të madh që po i digjte shpirtin. Kishte reflektuar shumë, sidomos gjatë netëve të gjata pa gjumë, mbi arsyet që kishin shtyrë miqtë e saj të ndërmerrnin një akt aq të dhunshëm karshi saj. Në pasditen e një gushtit, siç tregon FBI-ja, i kishte telefonuar Bobi. Ajo u lumturua kur i dëgjoi zërin, të paktën ai i telefononte përsëri, pavarësisht asaj “lamtumire të hidhur” në mbrëmjen e 29 majit. Megjithatë Bobi e kishte me nxitim, dëshironte vetëm ti kujtonte detyrën: të mos fliste me askënd për marrëdhënien e tyre, të mos i tregonte absolutisht asnjë njeriu sekretet e saj dhe të vëllait të tij. Vetëm atëherë Merilin e kuptoi se shkaku i atij makthi të tmerrshëm ishin vëllezërit Kenedi, dashnorët e saj më të famshëm. Për të parën herë ajo e kuptoi se me kë kishte të bënte në të vërtetë dhe një drithërimë e lehtë i përshkoi të gjithë trupin. Megjithatë, pas gjithë kësaj gurguleje, arriti të merrte edhe një kënaqësi të vogël, në fundin e jetës së saj. Për mbrëmjen e 1 gushtit kishte marrë nga Bobi një ftesë për darkë, në një restorant të Las Vegasit, për të festuar me Peter Leuford dhe bashkëshorten e tij, Patricia. Në këtë darkë të vogël do të ishte e pranishme edhe gruaja e Bobit, një eveniment i jashtëzakonshëm. Ish të dashurit të saj i kishte dërguar një telegram: “Të dashur Prokuror i Përgjithshëm dhe zonjë, do ta kisha pranuar me gjithë qejf ftesën tuaj të nderit, të Patit dhe Peterit. Për fat të keq jam e angazhuar në një manifestim për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare dhe i përkas yjeve të fundit që mbeten të lidhur me tokën. Në fund të fundit, për gjithçka që luftojmë, është e drejta jonë të ndriçojmë. Merilin Monro”. Ndërsa kur Leuford e kishte ftuar më 4 gusht, në mbrëmjen e organizuar në vilën e tij në plazhin e Santa Monikës, Merilin i ishte përgjigjur në telefon: “As mos e mendo! Nuk do të vij. Pse duhet të vijë? Që të më kalojnë dorë më dorë si një copë mishi?! Kam kaluar mjaft, nuk dua që të më ndihmojnë më Frank Bobi, kunati yt dhe Presidenti”.
Historia tregon që muaji korrik i vitit 1962 shfaqte një moment tensioni alarmues për Amerikën dhe gjithë botën. Ishte periudha e përballjeve të rrezikshme mes Perëndimit dhe botës komuniste. Bashkimi Sovjetik kishte deklaruar se do të mbronte Kinën nga çdo lloj agresioni. Amerikanët po vdisnin në Vietnam. Marrëdhëniet me Fidel Kastron ishin si mos më keq, ndërkohë që Kremlini mbështeste maksimalisht Kubën. Të gjitha tentativat e CIA-s për të eliminuar liderin e madh, duke i hedhur helm në ushqim, dështuan. Dhe në testin e atij muaji, Shtëpia e Bardhë kishte dhënë urdhër të shpërthenin disa bomba bërthamore të zhvilluara teknologjikisht. Dikush ka shkruar se, që pas Luftës së Dytë Botërore, bota nuk kishte përjetuar një moment kaq kritik, si atë korrik, pasi ishte në prag të një konflikti të ri. “Faji është i komunizmit”, kishte paralajmëruar Edgar Huver, “dhe i të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar në depërtimin e tyre në pikat strategjike të politikës amerikane”. Alarmi i Huverit kishte mbërritur edhe në Shtëpinë e Bardhë, shoqëruar nga një ndjesi rreziku real. Edgar Huver po përgatitej të “vilte frytet” e alarmimit të tij. Tani mund ti jepte goditjen e tij finale Shtëpisë së Bardhë. Dukej e pabesueshme, por drejtori i FBI-së, në momentin më të vështirë të verdiktit politik të Shteteve të Bashkuara, vazhdonte një luftë personale kundër armikut, të përfaqësuar nga një aktore e famshme dhe e zgjuar hollivudiane.
Huver ishte i bindur që Merilin paraqiste tashmë një rrezik të vërtetë për sigurinë amerikane. I kishte kuptuar sekretet nga të dashurit e saj dhe këta të fundit i kishin treguar Frederik Vanderbilt Field. Imazhet e agjentëve federalë të Uashingtonit dhe Meksikos kishin zbuluar se “miliarderi i kuq” ishte mik i Fidel Kastros, i njohur në Kubë. Lideri i famshëm dhe stërnipi i komandantit të skuadrës ishin lidhur shumë me njëri-tjetrin, duke gjetur shumë të përbashkëta në vizionin e tyre politik ndërkombëtar. Veçanërisht sa i përkiste marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, Vanderbilt i kishte treguar në kofidencë Fidelit urrejtjen për qeverinë amerikane, e cila ishte fajtore për mbështetjen e diktatorit Batista. Sipas FBI-së, “miliarderi i lindur me këmishë”, punonte për dy fronte, BRSS-në dhe Kubën. Aktiviteti i tij si spiun kishte pësuar ndryshime, duke filluar që nga shkurti i 1962-it: ishte Vanderbilt Field ai që e kishte njoftuar Fidel Kastron që efektivisht, ashtu siç dyshonte, CIA në bashkëpunim me një degë të mafies italiane po përgatiste një atentat për të marrë në dorë Kubën. Dhe jo vetëm kaq. Kishte qenë sërish ai që e kishte njoftuar Kastron për prapaskenat e sulmit të dështuar në Gjirin e Derrave, pas ndërhyrjes së Shtëpisë së Bardhë. Veç të tjerash rezultonte që Frederik u kishte zbuluar shokëve të tij në Moskë, përmes sekretarit të ambasadës Vassili Zubilin, planet e fshehta të programit bërthamor amerikan. Vetëm në pak kohë, nga shtëpia e tij në Meksiko, Vanderbilt Field kishte arritur tu jepte shumë informacione të rëndësishme miqve të tij në Moskë dhe Havanë. FBI-ja i kishte regjistruar të gjitha. Raketat, sulmet, zbarkimet klandestine, bombat atomike, planet e pushtimit në juglindjen aziatike dhe shumë sekrete të rëndësishme për sigurinë e Amerikës, të cilat Presidenti dhe ministri i Drejtësisë ia kishte besuar Merilinit në shtrat mes një përqafimesh. Ajo ofronte seks, ndërsa ata i rrëfenin sekretet e shtetit, për tia treguar më pas të dashurit të saj miliarder dhe të “zjarrtë”. I tregonin gjithçka pa frikë, ndrojtje dhe dyshim.
Huver ishte i bindur se kishte ardhur dita e gjykimit. Merilin, spiunia bionde, do të paguante çmimin e fajeve të saj. Më në fund vëllezërit Kenedi do ta njihnin identitetin e vërtetë të dashnores së tyre. Dinin, ose mendonin se njihnin gjithçka të sajën. Që kishte qenë dashnorja e mafiozëve të rëndësishëm dhe rreckamanëve të çfarëdoshëm, që kishte pasur marrëdhënie me gra, që nuk u kishte refuzuar producentëve të vjetër, me qëllim që të shkelte në ekranin e madh. Tashmë e dinin që nuk mund ti besonin më asgjë, pasi vazhdimisht përsëriste me një fiksim monoton se dëshironte të bënte një skandal kombëtar, duke u treguar gazetarëve historitë e dashurisë së tyre sekrete. Por që të ishte një spiune e shërbimit komunist dhe e dashura e miliarderit Vanderbilt Field, të cilit i kishte treguar me detaje sekretet e tyre, duke filluar nga Moska dhe Kuba, këtë nuk e prisnin kurrë. Kur e kishin marrë vesh këtë lajm, Xheku dhe Bobi ishin shokuar, jo vetëm për faktin se kishin vërejtur një ndryshim rrënjësor të personalitetit të gruas që i kishin besuar gjithçka, duke e kujtuar një kukull të brishtë, por edhe sepse për këtë prapaskenë kaq poshtëruese ishin informuar pjesëtarë të tjerë të shtetit. Për faj të Merilinit po rrezikonin të bëheshin karagjozët e botës politike të Shteteve të Bashkuara.
Më 26 korrik, divizioni i Inteligjencës Kombëtare të FBI-së, pra Departamenti i Kundërspiunazhit, i kishte dërguar një dosje Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit, Ministrisë së Drejtësisë dhe për njoftim, adresës së redaksisë së CIA-s ku ndodhej republikani Xhon Mekon. Dokum