E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS letër Berishës: Sa minatorë duhet të vdesin të reagosh?

Pas humbjes së jetës së një minatori dy ditë më parë dhe plagosjes së një tjetri, deputeti socialist, Sajmir Tahiri, i ka dërguar një letër kryeministrit Berisha, për tu paraqitur në interpelancë në lidhje me atë që po ndodh në miniera. Tahiri i kujton Berishës se PS ka kërkuar dy herë nga ai që të paraqitet në Kuvend për të dhënë llogari në lidhje me atë që po ndodh në Bulqizë dhe minierat e tjera, por kërkesat janë arkivuar nga Berisha. Tahiri pyet Berishën se edhe sa minatorë të tjerë duhet të vdesin që qeveria dhe ai të reagojnë?
Letra e PS
Tahiri i ka dërguar një letër Kryeministrit Sali Berisha si formë njoftimi për mospërmbushje të detyrimit Kushtetues për marrje informacioni nga Ministri i Qeverisë i dhe rikujtesë për përmbushjen e detyrimeve Tuaja Kushtetuese. Z. Kryeministër, dje humbi jetën një tjetër minator dhe një tjetër u plagos rëndë. Para pak ditësh, një tjetër minator humbi jetën. Po kështu kanë humbur jetën mbi 70 minatorë të tjerë, të gjithë të vrarë nga varfëria, por mbi të gjitha, nga qeveria e tyre, e cila i ka lënë në mëshirë të fatit dhe të mafies që shfrytëzon minierat. Nuk di sa çnjerëzore mund të jetë numërimi publik i minatorëve që po vriten në galeritë e minierave, nën hundën tuaj dhe heshtjen thuajse kriminale. Inventari makabër i minatorëve që trajtohen si skllevër dhe i minierave që janë kthyer në kampe përqendrimi të kohëve moderne, do bënte të dridhej e të kërcente nga karrigia, dhe njeriun më të pashpirt, jo më Kryeministrin e vendit. Por sigurisht, as që besoj se Ju i keni të tilla vlera. Megjithatë, keni një detyrim të pashmangshëm, dhe ky është nënshtrimi Juaj i detyrueshëm ndaj Kushtetutës dhe Ligjeve të vendit, shkruan Tahiri. Ai kujton se grupi parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar 2  herë në interpelancë urgjente për çështjen e Bulqizës që të japë shpjegime para parlamentit rreth punës për të ndalur rrethanat kriminale dhe pasojat tragjike me minatorët dhe mineralin.
Interpelanca
Tahiri thekson se gjithashtu, me kërkesën e Dt. 09.07. 2012 i është kërkuar informacion Ministrit të Qeverisë për Ekonominë, Tregtinë dhe Energjitikën lidhur me pagesën ose jo të detyrimeve të ACR ndaj shtetit shqiptar, ku shton se bëhet fjalë për detyrimet e papaguara që ministri i atëhershëm, Genc Ruli i shtyu me një kontratë nën tavolinë dhe një justifikim banal sipas të cilit parlamenti ishte mbyllur. Në këtë kuadër konstatohet se të gjitha këto kërkesa janë sot të stivosura në sirtarin e znj. Jozefina Topalli, e vijon të sillet më shumë si kujdestare e ndonjë konvikti vajzash, sesa si Kryetare e Kuvendit, ku duke iu drejtuar Kryeministrit thotë se, Ndërsa Ju vijoni heshtjen Tuaj, tashmë të përmasave kriminale. Çfarë duhet të ndodhë akoma që Ju të përgjigjeni para Parlamentit Z. Kryeministër? Dhe sa minatorë të tjerë duhet të vriten në galeritë e vdekjes, që Ju të bindeni se duhet të jepni llogari para Parlamentit? Çfarë duhet të ndodhë që Ju ti nënshtroheni Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe Ligjeve në fuqi? Z. Kryeministër, heshtja Juaj ndaj situatës në Bulqizë nuk mund të ketë shpjegim tjetër veç kapjes së shtetit, korrupsionit dhe nënshtrimit ndaj karteleve mafioze që kanë zaptuar Bulqizën. Por njëkohësisht, heshtja Juaj është edhe simbol i injorimit të shtetit ligjor, parlamentarizmit dhe detyrimit Tuaj kushtetues për të dhënë llogari para deputetëve. Tahiri e mbyll letrën e tij duke kujtuar se  përpara se të jetë shumë vonë, Kryeministri Sali Berisha duhet të përmbushë detyrimin për të dhënë llogari para Parlamentit duke respektuar kërkesën e Grupit të PS për interpelancë urgjente lidhur me çështjen e Bulqizës, ndërsa ministri ti përgjigjet kërkesës për informacion lidhur me aspekte po të së njëjtën çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›