E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel: E ardhmja e BE-së tani varet nga Greqia

Fjalimi Fjalim historik në Bundestag: “Europa në udhëkryq, Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë”

Kriza greke dhe pasojat e saj për Europën kanë qenë në qendër të fjalimit të mbajtur dje nga Kancelarja gjermane, Anglea Merkel, përpara Bundestagut, Parlamentit gjerman. Një fjalim i cilësuar si historik nga pjesa më e madhe e analistëve. “Ndihmat për Greqinë janë të domosdoshme, sepse bëhet fjalë për të ardhmen e Europës”, tha Merkel teksa mbronte planin mbështetës për Athinën dhe siguroi se asnjë vendim për ndihmat ndaj Greqisë nuk do të merret pa Gjermaninë apo kundër Gjermanisë. “çelësi për të kapërcyer krizën gjendet te Greqia”, tha Merkel, për të cilën Europa “tashmë gjendet në udhëkryq”.

Merkel mbrojti përpara deputetëve të Bundestagut nevojën e ndihmës për Greqinë, duke përsëritur shumë herë se është në lojë e ardhmja e “Europës dhe Gjermanisë në Europë”. Ajo i ftoi deputetët e Bundestagut të aprovojnë ndihmat për Greqinë, në interes të Europës dhe ndihmës së tyre. Kancelarja gjermane nënvizoi se nga kriza financiare greke vjen një mësim i mirë d.m.th nevoja për të ndryshuar Paktin e Stabilitetit të Bashkimit Europian. “Detyra e qeverisë sime dhe të gjithë anëtarëve të kësaj asambleje është t’ju sigurojë se është pjesë e paktit të stabilitetit, ta mbarojë dhe modifikojë duke nxjerrë një leksion nga kjo krizë. Ai duhet reformuar në një mënyrë të tillë që të mos dhunohet më”, deklaroi Merkel duke nënvizuar “përgjegjësinë e veçantë të Gjermanisë në këtë proces reformash”. Kancelarja u shpreh se është plotësisht dakord me vendimin për pezullimin e të drejtës së votës për vendet europiane që nuk respektojnë angazhimet financiare. “Shteteve të Eurozonës, të cilat shkelin limitin e deficitit buxhetor të vendosur nga Bashkimi Europian, do t'u hiqet përkohësisht e drejta e votës në Bashkimin Europian”, tha ajo. Ndërkaq, një procedurë për mungesën e pagesave të organizuara duhet hartuar për shtetet e zonës Euro”, tha Merkel duke marrë shkas nga ideja e ministrit të saj të Financave, Wolfgang Schaeuble. “Do të angazhohem personalisht dhe me forcë për këtë edhe pse ky proces mund të jetë i gjatë dhe i vështirë”, përfundoi ajo. Gjermanisë i duhet të derdhë këtë vit plot 8.4 miliardë euro në kuadër të programit të ndihmave të dhëna nga BE dhe FMN për të cilat opinioni publik është krejtësisht kundër. Ligji i nevojshëm për zhbllokimin e ndihmës duhet të aprovohet këtë javë në Bundestag dhe Bundesrat, dhoma e dytë e Parlamentit. Shumë parlamentarë e kanë kritikuar këtë procedurë. “Duhet të mbrojmë valutën tonë, sepse nuk kemi alternativa të tjera”, përfundoi Merkel.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›