Greqia, kaosi pushton vendin tri viktima nga protestat e dhunshme
Greqia është përballur dje me kaosin, dhunën, viktimat dhe zemërimin e madh social në një nga protestat më të mëdha të organizuara ndonjëherë në vend. Tre persona kanë humbur jetën nga flakët që kanë përfshirë një bankë në qendër të Athinës, në ditën e dytë të grevës së përgjithshme të sektorit publik dhe privat kundër planit të masave shtrënguese, që do të marrë qeveria për të parandaluar rrezikun e falimentimit. Zjarrfikësit treguan se përveç “Martin Egnatia Bank”, flaka ka pushtuar të tjera ndërtesa. Në sulmin ndaj bankës, humbën jetën dy gra (njëra mendohet se ishte shtatzënë) dhe një burrë, ndërsa katër persona u nxorën të gjallë. Një grup demonstruesish u përpoqën të mësynin ndërtesën e Parlamentit grek. Pasdite vonë, shërbimi zjarrfikës konfirmoi se tre njerëzit që humbën jetën, ishin punonjës të një banke private, të cilët gjetën vdekjen nga asfiksia, kur banka u përfshi nga flakët, pasi persona të maskuar hodhën bomba molotov në brendësi të saj.
Përplasjet e dhunshme nisën kur mijëra persona zbritën sërish në sheshin kryesor të kryeqytetit dhe në qytete të tjera greke në ditën e dytë të grevës së përgjithshme, e treta brenda dy muajve për të protestuar kundër planit të masave drastike pas ndihmës prej 110 miliardë eurosh nga BE dhe FMN për shpëtimin e ekonomisë kombëtare. Punëtorë, nëpunës, bujq, studentë, profesorë dhe pensionistë, opozitarë dhe pjesëtarë të lëvizjes anarkike, manifestuan përpara Parlamentit duke hedhur slogane kundër qeverisë, BE dhe FMN-së. Incidentet e para u verifikuan në kryeqytet ku manifestuesit hodhën bomba molotov kundër dyqaneve dhe bankave e tentuan të kalojnë kordonin e forcave të policisë përreth Parlamentit duke hedhur gurë dhe shishe. Veprimeve të dhunshme policia u është kundërpërgjigjur me hedhjen e gazrave lotsjellës dhe granatave tymuese. Në Selanik, policia përdori gaz lotsjellës për të ndaluar manifestuesit që kërkonin të thyenin me gurë xhamat e vitrinave të dyqaneve. Incidente janë shënuar edhe në Janinë, Korfuz dhe Patra ku demonstruesit nuk kanë hezituar t’u vënë flakën edhe kazanëve të plehrave. Sulmi kundër ndërtesës ku ndodhej “Marfin Egnatia Bank” në qendër të Athinës e që shkaktoi tre të vdekur u krye nga pesë të rinj me maska që hodhën bomba molotov në derën kryesore të saj. Sipas dëshmitarëve okularë, porta prej druri e bankës mori menjëherë flakë dhe zjarri përfshiu edhe apartamentet private sipër bankës së mbyllur për shkak të grevës. Mbi ballkonin e njërit prej apartamenteve të ndërtesës dëshmitarët kanë parë disa persona, njeri prej të cilëve është hedhur duke mbetur i plagosur. Përballë kësaj dhune dhe zemërimi social, ministri i Mbrojtjes greke ka vendosur të përforcojë masat e sigurisë në vende ushtarake si kazerma apo reparte të ndryshme për shkak të frikës së sulmeve. Pas manifestimeve të bëra nga sindikata e punëtorëve publikë “Adedy” dhe nga ajo komuniste “Pame”, protesta e djeshme u shtri më tej dhe u transformua në grevë të përgjithshme me bashkimin dhe të sindikatës së punonjësve privatë Gsee. Sipas këtyre sindikatave, pjesëmarrja në grevë ka qenë në masën 100 për qind dhe ajo e djeshmja mund të konsiderohet si “protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë në Greqi”. Greva e përgjithshme, e treta që nga koha e krizës dhe e para pas anonçimit të masave të reja për shkurtimin e shpenzimeve e ka paralizuar totalisht vendin, pasi është bllokuar trafiku ajror, hekurudhor dhe urban. Ndërkaq, janë mbyllur shkollat, bankat, zyrat publike, aeroportet, dyqanet ndërsa spitalet trajtojnë vetëm rastet e urgjencës. Sot nuk do të dalë asnjë gazetë, ndërsa televizionet e ndërprenë grevën sapo morën vesh për viktimat. Gjithë opinioni publik në vend vlerëson se masat financiare që janë shpallur janë të padrejta dhe më të rreptat në historinë e vendit. Për këtë gjendje ata fajësojnë politikanët dhe politikën greke të dhjetë viteve të fundit. Ndërkaq, Kryeministri grek, Papandreu, deklaroi se “vdekjet e padrejta gjatë protestave për planin e masave drastike dhe uljen e shpenzime financiare janë pasojë e dhunës së pakontrolluar dhe papërgjegjshmërisë politike”. Ndërkaq, protestat që shënuan edhe viktima kanë tronditur mbarë opinion botëror, raportojnë mediat ndërkombëtare. “Reagimi amerikan është që populli grek mund të refuzojë ta pranojë një plan të tillë. Nëse grekët janë kaq të ligështuar atëherë na duhet të shqetësohemi edhe për portugezët, spanjollët dhe italianët me shkurtimet që qeveritë e këtyre vendeve do ndërmarrin”, tha për “BBC”, Chris Lowe i “FTN Financial” në Nju Jork. Krerët e sindikatave thonë se këto shkurtime prekin jetën e grekëve të shtresës së mesme dhe të ulët. “Ka të tjera gjëra për të bërë para se të marrim para nga një pensionist që fiton rreth 500 euro në muaj”, tha Spyros Papaspyros, kryetari i sindikatës më të madhe të punonjësve publikë “ADEDY”, për një televizion privat grek.