Moisiu: Politikanët të shmangin krizën e tretë
Në kulmin e krizës së krijuar si pasojë e acarimit të klimës politike në vend ka ndërhyrë ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, duke mos u bërë palë, por duke u kërkuar palëve të lëvizin së bashku, duke lëshuar nga pak për të mos e çuar vendin në greminë. “Dialogu dhe bashkëpunimi mes partive është rruga e duhur për të mirën e popullit dhe vendit”. Ky ka qenë mesazhi i ish-presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, për politikën. Në kulmin e krizës, ish-kreu i shtetit apeloi për konsensus në mënyrë që, sipas tij, vendi të mos përjetojë situatën e 20 viteve më parë. “Dëshiroj t’u bëj një thirrje forcave politike kryesore të mendojnë më shumë për këtë popull, të cilit brenda 20 vjetëve po i afrohet edhe një krizë e tretë. Politikanët duhet të tregohen më elastikë në kuptimin e zgjidhjeve të problemeve të lindura. Në mënyrë të veçantë, ata duhet të gjejnë forcën e duhur për t’u treguar më të ndjeshëm ndaj vuajtjeve dhe halleve të njerëzve”, deklaroi Moisiu, duke folur në një aktivitet të zhvilluar dje në Tiranë. Ish-kreu i shtetit deklaroi se partitë politike shqiptare duhet të kujdesen për elektoratin që i ka votuar dhe jo për interesat e tyre të ngushta. Deri tani ka pasur disa qëndrime nga ata që cilësohen si “politikanët veteranë” që bëjnë apel për zgjidhjen e situatës. Dy ditë më parë ka ndërhyrë në debat edhe republikani Sabri Godo. Ai ka deklaruar se është urgjente ulja në një tryezë e Berishës dhe Ramës, para se situata të dalë jashtë kontrollit. “Zgjidhje ka vetëm një, që palët të takohen në mes të rrugës, të ulen në bisedim. Duket sikur s’ka shteg për bisedim, sikur rrugët janë të mbyllura, secila dorë e ka prerë në përqendrimin e vet, po kjo nuk mund të jetë kështu përjetë. Unë e kam fjalën te një takim i drejtpërdrejtë i Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Kryetarët ose delegacionet e partive, si ta gjejnë të udhës, por zgjidhja përfundimtare duhet të gjendet aty, duke lëshuar secila nga palët”, tha Godo. Presidenca, u shpreh ai, pa dyshim duhet të lozë një rol më aktiv. “Unë mbeta disi i habitur kur pashë, se i pyetur për këto ngjarje, Presidenti nuk gjen gjë tjetër të thotë veç se ai pozicionohet për demokracinë, kjo nuk qëndron fare. është një situatë kritike, mund të dalë nga kontrolli dhe Presidenti duhet të bëjë paralajmërimet e veta”, shtoi republikani Godo.
#