E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel, Samaras: Greqia do të qëndrojë në Eurozonë

Gjermania do të vazhdojë të mbështesë reformat në Greqi dhe mbetjen e vendit brenda Eurozonës, deklaroi Kancelarja Angela Merkel në Parlamentin Grek, gjatë vizitës së ditës së martë.

“Populli gjerman nuk është indiferent ndaj vuajtjeve të miliona grekëve, por jemi të sigurt se kjo rrugë e dhimbshme, do të japë rezultate të frytshme dhe pozitive për të gjithë”, këmbënguli gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me kryeministrin Samaras.

“Gjermania do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht mbetjen e Greqisë brenda Eurozonës. Është pozitive që Athina ka përshpejtuar reformat, në mënyrë që kjo situatë të përfundojë sa më shpejt”.

Megjithatë, ashtu si në takimin e shtatorit me Presidentin e Francës, Francois Hollande, Samaras theksoi se vendit mund t`i duhet pak më shumë kohë, për të zbatuar reformat.

Njëkohësisht, Samaras siguroi kreditorët e vendit se Athina nuk do të kërkojë një kredi shtesë, siç është spekuluar prej disa javësh në mediat europiane.
 

Ndërsa takimi mes dy liderave të shteteve zhvillohej në Parlamentin e Greqisë, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë me mijëra protestues, të grumbulluar që prej orëve të para të mëngjesit për të shprehur indinjatën e tyre ndaj Kancelares, e konsideruar si fajtorja kryesore për gjendjen e mjeruar në të cilën është zhytur Greqia.
 

Gjermania është kreditorja kryesore e fqinjit tonë jugor dhe si rrjedhojë e presionit në rritje kundër përdorimit të fondeve të taksapaguesve gjermanë për të financuar defiçitin grek, Merkel është detyruar të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj autoriteteve greke në të shkuarën.
 

Financat praktikisht të falimentuara greke, janë duke u mbajtur gjallë nga një superhua prej 130 miliardë eurosh, që po i lëvrohet me këste vendit nga arkat e BE, BQE dhe FMN.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›