Sulmohet një agjenci siriane e inteligjencës

Fronti Al Nusra, një grup militant xhihadist, tha se atentatorët vetëvrasës u hodhën në erë jashtë selisë së Inteligjencës së Forcave Ajrore në Harasta.
Ndërsa aktivistët dhe banorët raportuan se kanë dëgjuar shpërthime të mëdha, të ndjekura nga përleshje me armë të rënda automatike dhe mortaja.
Inteligjenca e Forcave Ajrore konsiderohet si një agjenci elitë e sistemit sirian të shërbimeve sekrete. Në të kaluarën ajo ka luajtur një rol kyç në operacionet kundër grupeve islamike të opozitës, si dhe në operacione të fshehta jashtë vendit, duke fituar reputacionin e brutalitetit.
Agjencia drejtohet aktualisht nga gjeneral-major Jamil Hassan, një anëtar i sektit të vogël alavit të presidentit Bashar al Assad.
Në një deklaratë të lëshuar nga Fronti Al Nusra thuhet se Inteligjenca e Forcave Ajrore u sulmua për shkak se “është një nga divizionet më mizore të sigurisë dhe një fortesë e represionit, degëzimet e të cilit i njeh vetëm Zoti”.
Grupi, që ka marrë përsipër përgjegjësinë për një seri sulmesh që prej janarit, saktësoi se një automjet i mbushur me 9 tonelata eksploziv ishte drejtuar deri në selinë e agjencisë në Harasta dhe ishte hedhur në erë.