“Shtëpitë do të jenë për të rinjtë vendas” – Qeveria spanjolle heq 53 mijë apartamente pushimi nga platformat online

Qeveria spanjolle ka nisur një operacion për të hequr mbi 53 mijë apartamente të paligjshme pushimesh nga platformat online. Kryeministri Pedro Sanchez deklaroi se këto njësi do të rikthehen në tregun e banesave për të ndihmuar të rinjtë dhe familjet spanjolle.
Ai tha se nga 1 korriku apartamentet janë detyruar të regjistrohen, por mijëra prej tyre nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore. “Janë zbuluar shumë parregullsi në këto akomodime”, theksoi Sanchez në një aktivitet në Malaga.
Shkeljet janë më të shumta në qytete si Sevilja, Marbeja, Barcelona, Malaga dhe Madridi. Ministria e Strehimit ka kërkuar nga platformat që t’i fshijnë këto oferta të paligjshme menjëherë. Kryeministri tha se ky është një hap për të rikthyer strehimin në funksionin e tij real dhe për të përmirësuar jetën në qytete.
Spanja po përballet me një krizë të thellë strehimi që po përkeqësohet çdo vit. Sipas autoriteteve, numri i apartamenteve të pushimeve ka arritur në rreth 400 mijë. Kjo është një nga arsyet që ka rritur çmimet e qirave dhe ka ulur ofertën për banesa të zakonshme.
Në prill, mijëra qytetarë protestuan në të gjithë vendin kundër mungesës së strehimit dhe spekulimeve me pasuritë e paluajtshme. Shumë prej tyre kërkojnë më shumë banesa sociale dhe më pak apartamente për turistët, të cilët për shkak të numrit të shumtë janë kthyer në një problem për qytetarët spanjollë.
Gazetar: A.Mata
/rtsh.al/