Merkel viziton Kosovën javën e ardhshme
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, të hënën do të arrijë për vizitë në Kosovë për të përcjellë mesazhe lidhur me bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Sipas mediave kosovare, vizita e kancelares gjermane në Kosovë është konfirmuar edhe nga Qeveria e Kosovës.
Në samitin e fundit të shefave të shteteve të BE-së, kancelarja gjermane Merkel ishte më e vendosura për refuzimin e kërkesës së Serbisë për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
Vendosmëria e saj erdhi pasi Beogradi nuk ka përmbushur kërkesat që ajo ia kishte bërë me kohë presidentit të Serbisë, Boris Tadiç lidhur me Kosovën.
Në qëndrimin e fuqishëm të Gjermanisë ndikoi edhe plagosja e disa ushtarëve gjermanë të KFOR-it nga serbët e rebeluar në veri.