Teatri, për ku?
Goethe Institut përfundoi së fundi një program takimi midis autorëve të rinj të teatrit që jetojnë në Europën Lindore dhe profesionistëve të kësaj fushe në qytetet e Mynihut, Shtutgartit dhe Berlinit. Përpara se të nisesha, kisha disa hipoteza por nuk kisha imagjinuar që do kisha një javë të ngjeshur me individët më të rëndësishëm të teatrit shtetëror gjerman.
Aeroporti Nënë Tereza. 19 Nëntor. Salla e nisjeve është e qetë. Sndodh asgjë përveç vonesës së avionëve. Nisem për Mynih dhe në aeroport kur mbërrij, takohem me dy kolegë nga Kroacia dhe Rumania. Pastaj fill për hotel ku takohemi me pjesën tjetër të grupit. Darka tek Three penny opera me ideatoren e programit, drejtoresha e Goethe Institut Athinë, Juliane Stegner. Pas darkës, në Spielart Theater Festival (www.spielart.org) për të parë Before your very eyes nga Gob Squad (www.gobsquad.com), një kolektiv artistësh të cilët punojnë me video performancë, instalacione. Shfaqja ishte me fëmijë të moshës 11-15 vjeç, një mësim mbi teatrin, rolet, shoqërinë, të ardhmen, konceptin.
Diskutoj me kolegun kroat dhe mësoj mbi buxhetin e teatrit kombëtar kroat (15 milionë euro për sezon). Kjo gjë doli se unë po pyesja: A e di sa gjëra interesante mund të bëhen me 1 milionë euro? (Shifër hipotetike mbi buxhetin e teatrit tonë).
20 Nëntor. Bayerische Theaterakademie. Ora 11.00. Eksperti dhe estetika krizës nga Armin Nassehi. Diskutim mbi fenomenin e të ashtuquajturit ekspert, kush në të vërtetë mund të quhet ekspert, ku bazohet njohja e tij mbi fushën, a janë titujt përfaqësim i dijes, po dijes kush i bën ekspertizë?
Në një sallë tjetër vjen Sidigullah Fadai i intervistuar nga Stefan Kaegi (Rimini Protokoll). Fadai tregon për jetën e tij në Afganistan, nga ku shpërngulet pasi i vrasin babanë, dhe kur lufta me pushtimin sovjetik bëhet më agresive, ai shkon në Gjermani ku aktivizohet në një lëvizje për vendin e tij. Aty përfshihet në teatër, film, bëhet imam pasi traditën shpirtërore e kishte të trashëguar nga i ati, predikon në islam për një kohë, por jo shumë, sepse natyra e tij liberale nuk përkon me bindjet radikale të shumicës së afganëve. Është thirrur në diskutim si Ex expert. Kaegi e pyet sesi ka shpëtuar pa u vrarë në ndonjë atentat. Ai thotë që shkon rrugëve si gjithë të tjerët, pa roje, pa makinë të blinduar, dhe kjo mbase ja ka shpëtuar jetën. Takimi mbyllet me një moment domethënës. Fadai i fton pjesëmarrësit të luten për paqen dhe për të gjithë njerëzit. Ai drejton lutjen sipas besimit islam, dhe gati 100 të pranishëm në një akt solemn i bashkohen Fadait me përulësi.
Ora 14.00. Pinakothek der Modern: Polke, Fischer, Picasso, Ernst, Bacon, Beckmann, Matisse, Magritte, Judd, Beuys, Baselitz, Warhol, etj.. Ky muze i artit modern ka një koleksion të mirë të disa prej punëve dhe artistëve të artit bashkëkohor. Përreth ndërtesës janë edhe dy muze arti. Vazhdon seria e pyetjeve por këtë herë në mendjen time.
Ora 18.00. Bayerische Theaterakademie. Takim me Vera Gertz dhe Judith Altman, dramaturge dhe studente e dramaturgjisë. Të dyja ato kanë realizuar dramaturgjinë e operës së Moxartit La finta gardiniera me studentë këngëtarë të operës në bashkëpunim me studentë të make-up-it dhe set design-it. Gjatë bisedës u trajtuan temat e realizimit të spektaklit, rishkrimi i pjesëve muzikore ku kishte pasur ndërhyrje në vepër nga ana e dramaturgeve, puna e përbashkët me regjisoren, dirigjentin, orkestrën, studentët, teknikët e sallës. Duhet tju them se unë nuk jam fort adhurues i operës, por në ndryshim nga stereotipi operistik ndoqëm një shfaqje shumë të mirë, e konceptuar, e gjallë, me studentë këngëtarë që ishin edhe aktorë të mirë, që lëviznin dhe këndonin dhe gjithçka dukej aq e natyrshme saqë nuk e besoje se ndiqje një produksion shkolle apo provim studentësh si e quajmë ne. Pyetje përsëri.
E hënë. 21 Nëntor. Ora 9.30. Goethe Institut, Mynih. Takim me Martin Berg, drejtues i departamentit të teatrit dhe dancit në Goethe Institut Mynih. Tema e diskutimit lidhet me natyrën e dramaturgut, prezantim i disa qasjeve drejt kësaj fushe, karakteri tradicional si i kundërt me atë të kuratorit modern të shfaqjes. Berg ishte në dijeni të gjithçkaje që ndodh në teatër. Diskutimi me të nuk ishte vetëm një pasqyrë e teatrit gjerman por edhe një vlerësim i situatës mbi atë që ndodh sot në art dhe shoqëri, të rinjtë dhe puna me ta, kombinimi i formave të njohura me ato të reja, audienca. Marrin pjesë nga Bosnja, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Shqipëria, Turqia, Rumania, Qipro. Ndjehemi si në shtëpi.
Ora 15.00. Münchener Kammerspiele. Takim me Julia Lochte, dramaturge. Znj. Lochte na priti në një studio në katin e fundit të ndërtesës ku nga aty dukej një pjesë e mirë e Mynihut. Zakonisht këtu bëjmë takimet dhe diskutimet, thotë ajo. Puna e znj. Lochte është e lidhur ngushtë me autorë bashkëkohorë gjermanë. Ajo ka realizuar disa vepra nga Jelinek dhe tregon për eksperiencat me veprën e saj dhe me regjisorin Johan Simons që është drejtues artistik në Kammerspiele. Me gati 27 milionë euro buxhet për sezon, 30 aktorë, tre regjisorë të brendshëm, dy të tjerë të ftuar, katër dramaturgë, dhe rreth 400 të punësuar që plotësojnë të gjitha nevojat e teatrit, 3 salla, më shumë se 20 premiera në sezon dhe çdo ditë e vitit pothuajse është e zënë me shfaqje. (www.muenchner-kammerspiele.de). Pyetjes sa teatro shtetërorë ka në Mynih, Lochte i përgjigjet: shumë janë, d.m.th përfshirë edhe kompanitë indipendente që financohen nga shteti, nuk mundem tju them një shifër të saktë.
Good weather, bad luck. Kjo ishte moto e udhëtimit. Pati diell në Mynih atë ditë por në darkë smundemi të ndjekim Kasimir und Karoline nga Horváth me regji të Frank Castorf.
Ora 19.30. Der Sturm. Kammerspiele. Shtrëngata e kësaj nate ishte një punë e jashtëzakonshme teatrale, Hildegard Schmahl në rolin e Prosperës, aktore 72-vjeçare e cila e mbylli lojën si një 16-vjeçare plot hijeshi. Perceptimi mbi veprën ishte një realizim i çliruar nga konvencionet tradicionale, skena dhe kostumet, muzika, videot, interpretimi. Pjesa e bukur është në fund kur audienca përshëndet aktorët me duartrokitje të gjata dhe mbi skenë gjenden njerëz të emocionuar nga kjo, ngatërrohen, i humbin ato veti me të cilat ushtrojnë zanatin e tyre dhe ska sesi të jetë më mirë. Publik i kënaqur, aktorët po ashtu, drejtuesit e teatrit, zyrat shtetërore nga ku burojnë fondet për kulturën e kështu me radhë.
A ka pyetje? Ishte një nga momentet që na vinin në pozitë gjatë takimit.
22 Nëntor. Bayerische Theaterakademie, institucion prestigjioz. Në këtë Akademi studiojnë rreth 40 studentë në vit për degët, opera, regji, aktrim, dramaturgji, skenografi, kostumografi, grim, dhe kritikë. Pagesa për semestër është 500 euro dhe gjithsej janë 4 semestra. Çdo student që mbaron shkollën punësohet, ose të paktën rreth 90 % e tyre.
Ora 12.00. Residenz Theater. Takim me Sebastian Huber dhe Laura Olivi. Drejtues i departamentit të dramaturgjisë, Huber tregon: kanë 55 aktorë, 10 regjisorë, 460 të punësuar, 28 produksione në vit me buxhet 21 milionë euro. Në përgjithësi ky teatër por edhe teatrot e tjerë shtetërorë, kanë në repertor autorë gjermanë. Na bëri përshtypje dhe kësaj pyetje të gjithë i janë përgjigjur me buzëqeshje dhe me argumentin se autorët përzgjidhen nga tematika, bashkëkohësia, lidhja e tyre me realitetin e përditshëm.. Olivi tregon për bashkëpunimet e saj me teatrot në Europë, konceptin teatral, stilin dra
