E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr formë Komisioni i Superiores, Kokëdhima kryetar

Vendimi Në takimin e zhvilluar dje në ambientet e FSHF-së, kanë munguar përfaqësuesit e tri klubeve elitare

Pas miratimit në letër nga Komiteti Ekzekutiv, ka marrë formë Komisioni i Kategorisë Superiore. Organizmi më i ri i futbollit shqiptar cilësohet si hapi i parë drejt zhvillimit të sportit më popullor në vend, nga ku do të lindë edhe Liga Profesioniste. Në mbledhjen e zhvilluar dje në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është përcaktuar kryetari i Komisionit: ai do të jetë presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima. Takimi nuk ka kaluar pa diskutime, edhe për faktin se askush nga drejtuesit e tjerë të klubeve nuk pranonte ta marrte përsipër një post të tillë. Edhe pse nuk ka dashur të emërohej, drejtuesi më i lartë i klubit fierak ka pranuar të jetë kryetar, pas këmbënguljes së të gjithë kolegëve të tij, të cilët deri në ato momente nuk po arrinin të gjenin gjuhën e përbashkët. Të pranishëm ishin presidentët e nëntë klubeve elitare, ndërsa mungonin drejtuesit e Flamurtarit, Skënderbeut dhe Shkumbinit (ata që kishin rënë dakord që prej fillimit për Kokëdhimën).
Komisioni i Superiores do të nisë punën për sezonin e ardhshëm futbollistik. Ai do të ketë një rol këshillues pranë FSHF-së dhe do të bëjë propozime për mbarëvajtjen e kampionatit, megjithatë vendimet finale do t’i marrë vetëm Komiteti Ekzekutiv. Nëpërmjet strukturës së re, presidentët e klubeve do të propozojnë shefin e gjyqtarëve në federatë, por edhe propozime të tjera rreth garës. Ky është hapi i parë drejt formimit të Ligës, megjithatë duket se ky objektiv është ende i largët, pasi më parë duhet të krijohen kushtet e përshtatshme. Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga kryetari i porsazgjedhur, Koço Kokëdhima, i cili deklaroi: “Do të vazhdojmë të konsultohemi me të gjithë kolegët, sepse kemi shumë gjëra të tjera për të vendosur. Për Ligën do të flasim vetëm kur të vijë koha”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›