Promovimi dhe mbijetesa mbajnë gjallë lojën
Ndërsa Superiorja pushon, Kategoria e Parë rrëmben vëmendjen e opinionit sportiv. Sot në orën 16.00 do të dalin në skenë aktorët e javës së 29. Priten takime interesante për sa u përket 4 skuadrave që luftojnë për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Gjithashtu ndeshje të forta priten edhe mes ekipeve, që luftojnë për të mos rënë nga Kategoria e Parë. Bylis, kampion i saposhpallur, pret Pogradecin. Elbasani (i dyti, 56 pikë) do të ketë një ndeshje të vështirë në transfertë ndaj ekipit të Bilisht Sportit, në luftë për t’i shpëtuar rënies. Kamza (56 pikë) do të sfidojë Luftëtarin në shtëpinë e këtij të fundit. Lushnja (54 pikë) udhëton për në Skrapar, ndërsa Partizani (54 pikë) nuk ka një ndeshje të lehtë, pasi pret Burrelin në Tiranë. Sfidat e tjera në luftë për mbijetesë janë Ada–Memaliaj, Sopoti–Gramshi dhe Besëlidhja–Turbina.
#