Merr fund saga e Lezhës, PD mban mandatin e katërt. Tani i hapet rruga certifikimit të zgjedhjeve
Mandati i katërt parlamentar në Lezhë i takon Partisë Demokratike.
Kolegji Zgjedhor rinumëroi votat e 10 kutive në këtë qark, pasi kishte zhvlerësuar me një vendim të mëparshëm hapjen e kutive nga vetë KQZ me një vendimmarrje në mungesë kuorumi.
Sipas përfaqësuesit të PD-së, Oert Bylykbashi, Kolegji Zgjedhor nuk bëri drejtësi, duke pranuar vetëm hapjen e 10 kutive në Lezhë.
Kolegji nuk bëri drejtësi, nuk u dha zgjedhësve atë që u takonte, të vërtetën që PD kryesonte në Lezhë me 740 vota. Në Lezhë kishte ndodhur një masakër zgjedhore. Kolegji për fat të keq vendosi që gjysma e votave të trafikuara të kaloheshin kontrabandë. Për fat të keq Kolegji e lexoi kodin nën presionin e papranueshëm dhe të kundërligjshëm të PS-së. Mandati është i rëndësishëm, por më e rëndësishme është transparenca, deklaroi Bylykbashi për gazetarët.
Ai theksoi se PD do të kallëzojë në prokurori të gjithë ata që kanë kryer krime me karakter zgjedhor.
PS-ja, siç lajmëroi përmes Sekretarit të Çështjeve Zgjedhore Damian Gjiknuri, e tërhoqi kërkesën për rinumërim votash në Lezhë, me argumentin e certifikimit sa më të shpejtë të procesit. Socialistët nuk shprehën interes për të ndjekur procesin e rinumërimit të votave në Kolegj.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso tha se sikurse u vërejt dhe nga procesi i rinumërimit të 10 qendrave të votimit, procesi për të cilin ne paraqitëm prova, u provua se ishte korrekt dhe të gjitha tabelat e tij kanë qenë të sakta dhe i korrespondojnë realitetit. Kërkojmë që përveç këtij rezultati që u tregua se ishte i saktë, të përfshihen edhe tabelat e tjera që janë prodhuar në një proces normal.
Kjo ishte hera e dytë që Kolegji vendosi të rinumëronte votat në ambientet e veta. Më herët u hapën kutitë e Kukësit, por nuk pati ndryshim rezultati.
Ditën e enjte, Kolegji pritet të shqyrtojë ankimin e fundit të këtij procesi elektoral. Është një ankimim i Partisë së Pensionistëve.