Peleshi: Përzgjedhja ime, vlerësim për administratën lokale. Bashkia e Korçës do më mbetet peng
Kryetari i Bashkisë së Korçës, tashmë zëvendëskryeministër i Shqipërisë, Niko Peleshi, tha dje se për të është një vlerësim shumë i madh përzgjedhja në ekipin qeverisës të kryeministrit Edi Rama.
Për mua personalisht padyshim që është një vlerësim i madh, por dua ta lexoj më tepër se kaq, si një vlerësim që në fakt i bëhet punës që shumë administratorë në të gjithë Shqipërinë bëjnë në nivelin lokal. Pra, në fund fare qeveria është një tërësi lokalitetesh dhe puna mes faktorëve lokalë të zgjedhur dhe të mandatuar drejtpërdrejt nga qytetarët shqiptarë është një punë e cila është në fakt ajo çka qytetarët prekin përditë, janë shërbimet, janë hapësirat publike që administrohen nga ata. Përzgjedhjen në këtë pozicion të rëndësishëm unë e shikoj edhe si një vlerësim që kryeministri i Shqipërisë i bën pikërisht kësaj shtrese shumë të madhe të kontributorëve të zhvillimit të Shqipërisë, është shprehur për GSH-në Peleshi.
Ai njofton se do të japë dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Korçës, por ky mbetet një nga pengjet e tij, për faktin se nuk mundet dot ta përfundojë mandatin e kryebashkiakut të Korçës deri në vitin 2015.
Ligji kam përshtypjen që e kondicionon dorëheqjen, por gjithsesi edhe nëse nuk do të ishte ligji, praktikisht do të ishte e vështirë, madje e pamundur që të administrohen të dyja, kështu që do të duhet që ne të futemi në zgjedhje të parakohshme. Më vjen keq që më duhet të ndërpres një mandat që ka buruar nga vota e popullit, por jam i bindur që Korça ka potencialet, ka kapacitetet intelektuale për të zgjedhur drejtues kaq të mirë, i cili do ta ketë më të lehtë punën, sepse po punon me një qeveri të vullnetshme dhe me një vëmendje më të veçantë për Korçën, pse jo, nënvizon ai./A.XH