Merr fund shpresa e demokratëve për një mandat
Fushë-Kuqja
Kanë marrë fund shpresat e demokratëve për të marrë mandatin e pesë të deputetit në Qarkun e Lezhës. Pesë kutitë e hapura dje nga KQZ-ja dhe që i përkisnin zonës së Fushë-Kuqes, në Qarkun e Lezhës, kanë prodhuar një rezultat zhgënjyes për Partinë Demokratike, e cila shpresonte që në 6 kutitë që kishin mbet pa numëruar, të merrte një numër votash që të krijonte një diferencë prej 2600 votash të tjera kundrejt koalicionit të majtë.
Tashmë, kur ka mbetur ende edhe një kuti për t'u numëruar, kjo shpresë është shuar edhe nga ana matematikore, pasi fletët e votimit që gjenden brenda në këtë kuti, në totalin e tyre janë më pak sesa numri i votave që do t'i duheshin PD-së për të siguruar kuotën që do t'i jepte një mandat tjetër në këtë qark, çka do të ndihmonte shumë gjithë të djathtën edhe në aspektin e krijimit të mazhorancës qeverisëse.
Kështu, nga numërimi 5 kutive të Fushë-Kuqes, rezultoi një panoramë e tillë, ku koalicioni djathtë, i udhëhequr nga PD-ja, morri 1591 vota dhe ai i udhëhequr nga PS-ja 803 vota, pra duke krijuar një diferencë vetëm prej afro 700 votash, e pamjaftueshme kjo për të ndryshuar statuskuonë e vendosur që më parë në ndarjen e mandateve në këtë qark, në raportet 4 me 3 për të djathtën.
Gjatë hapjes së këtyre pesë kutive janë vënë re parregullsi të mëdha, ndërsa KQZ-ja ka vlerësuar si të rregullta edhe ato raste kur në listat e zgjedhësve që kishin votuar, nuk ishte shënuar asnjë numër i mjeteve të identifikimit që ishin përdorur, por edhe kur në kutitë e materialeve zgjedhore nuk është gjendur më vula e kryetarit dhe sekretarit.