Merren vesh për ekipin e asociacionit

Pas katër ditë intensive takimesh në Bruksel, është arritur marrëveshja për krijimin dhe përbërjen e ekipit menaxhues të asociacionit të komunave serbe në veri, ka njoftuar, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e baroneshës Catherine Ashton. Siç njofton ajo, janë katër emra të cilët do përbëjnë këtë ekip, të gjithë të nacionalitetit serb: Igor Kalamar, Ljubomir Mariç, Dragan Jablanoviç dhe Dejan Radojkoviç.
Ky ekip e ka për obligim që të përgatisë procesin e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në katër komuna dhe secili prej tyre do të jetë përfaqësues i njërës nga këto katër komuna.
Kjo është njëra prej pak përparimeve që janë arritur deri më sot, nga dy delegacionet e të dyja vendeve, të cilat pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy kryeministrave më 19 prill, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, po merren me zbatimin e pikave të parapara me këtë marrëveshje.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, e cila po udhëheq delegacionin nga Kosova, këtë raund të takimeve e ka filluar nga e marta, të cilën ditë kanë diskutuar për telekomin dhe energjinë, por nuk kanë arritur sukses.
Duke i shtyrë këto dy tema deri në një afat tjetër për t’i biseduar, palët kanë vazhduar për tri ditë me radhë për temat që lidhen kryesisht për asociacionin, mbajtjen e zgjedhjeve në veri, shpërbërjen e strukturave paralele dhe integrimin e serbëve në institucionet legale të sigurisë në Kosovë.
Asociacioni i komunave serbe në veri, i cili pritet të themelohet pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në veri, është çelësi të cilin Beogradi zyrtar po e përdor që t’i bindë serbët e veriut, për t’i pranuar ndryshimet në veri. Edhe pse është thënë se ky asociacion nuk do ketë rol ekzekutiv, ndryshe e proklamojnë zyrtarët serb.
Në një letër e shkruar nga udhëheqësit e Qeverisë së Serbisë, dërguar krerëve komunalë ilegalë në veri, të cilën e ka parë gazeta “Zëri”, thuhet: “Pranoni ndryshimet që do vijnë në veri. Ju tani e mendoni se ato do t’ju dëmtojnë, por shumë shpejt do ta shihni se pikërisht për të mirën tuaj është bërë marrëveshja Prishtinë-Beograd. Bashkësia e komunave serbe, do të ketë rol ekzekutiv, ku ju do keni qasje aty dhe si e tillë vendimet e kësaj bashkësie do jenë shumë më të fuqishme se çdo vendim që keni marrë ndonjëherë”.
Letra e cila është dërguar në ?llim të këtij muaji, më tej kërkon nga krerët ilegalë të veriut, që të bashkëpunojnë me Beogradin e jo të distancohen.
Siç ka kuptuar më tej “Zëri”, kjo letër është njëra prej arsyeve kryesore që ka ndikuar tek serbët e veriut për të mos e shpallur autonominë e paralajmëruar më 6 qershor.
Atë ditë, përfaqësuesit e serbëve të veriut, kanë mbajtur një mbledhje 12-orëshe, lidhur me konstituimin e të ashtuquajturit Kuvend i Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, e që në fund lajmëruar për tërheqje nga ai vendim.
Qasja më ndryshe e serbëve në veri, tregohet edhe me lajmërimin e fundit për mbylljen e MUP-it serb në Leposaviq. Lajmi për mbylljen e kësaj zyre është dhënë të premten (dje) për agjencinë serbe “Beta”, nga vetë kryetari ilegal i Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq.
Për të respektuar marrëveshjen e arritur në Bruksel, presidentja e vendit Atifete Jahjaga, ka paralajmëruar se zgjedhjet lokale në Kosovë përfshirë në veri ka mundësi që të mbahen me 20 ose 27 tetor.
Ajo këtë lajmërim e ka dhënë pas takimit që ka zhvilluar me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar. Është paralajmëruar po ashtu se më 20 qershor, baronesha Catherine Ashton, do t’i ulë edhe njëherë në një tavolinë, dy kryeministrat, Thaçi dhe Daçiq, dhe këtë e kanë kon?rmuar edhe kryeministrat.
Daçiq ka thënë për media serbe, se pas këtij takimi Ashton, së bashku me komisionarin për zgjerim, Stefan Fule, do t’iu dërgojë letër vendeve anëtare të BE-së, për atë se çfarë është zbatuar dhe çfarë është bërë, prej se është arritur marrëveshja e 19 prillit.
Çështja është se shtetet anëtare të BE-së, më 28 qershor do japin votën e tyre lidhur me hapat e mëtejmë që Kosova dhe Serbo do t’i marrin për integrimin e tyre në BE, dhe të gjitha varen nga zbatimi i marrëveshjes mes palëve. /Indeksonline/