E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia e Kosova mbrojnë të drejtat e pasagjerëve ajrorë

Kosova dhe Serbia janë vendet e para në rajon që zbatojnë rregullat me bazë të BE-së për të mbrojtur të drejtat e pasagjerëve të ajrit.

Rregullat e përgjithshme mbi kompensimin dhe mbështetjen ndaj pasagjerëve në rast anullimi apo vonese të gjatë të fluturimeve, janë pjesë e udhëzimeve të reja.

Linjat ajrore janë të detyruara të ofrojnë pije e ushqim dhe të ndihmojnë pasagjerët të bëjnë telefonata falas në rast vonese apo anullimi. Në varësi të kohëzgjatjes së vonesës, linjës ajrore do t'i kërkohet gjithashtu të kompensojë me para pasagjerët, nga 250 në 600 euro në varësi të largësisë së fluturimit; të kthejnë paratë e biletës ose të ofrojnë një fluturim tjetër. Në qoftë se pasagjerit i duhet të kalojë natën për një fluturim tjetër, linja ajrore duhet t'i ofrojë strehim.

Të drejtat e pasagjerëve janë kurdoherë të rëndësishme, por veçanërisht në verë kur numri i fluturimeve është më i lartë, tha për SETimes Katarina Andriç Milosavljeviç, këshilltare e marrëdhënieve publike në Drejtorinë e Aviacionit Civil të Serbisë.

"Eshtë e rëndësishme për pasagjerët të kenë parasysh se kur blenë një biletë avioni, në fakt nënshkruajnë një kontratë transportimi me një linjë ajrore," tha Milosavljeviç. "Në qoftë se për ndonjë arsye, transportimi nuk realizohet apo nuk është siç ishte menduar të ishte, të drejtat e udhëtarit janë të mbështetura në biletën."

Drejtoria e Aviacionit Civil në Serbi ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi publik rreth të drejtave të pasagjerëve ajrorë nëpërmjet faqes së internetit, telefonit dhe mediave së Drejtorisë së Aviacionit Civil.
"Nuk jam e mirë-informuar për të drejtat e mia si një pasagjere e linjës ajrore. As unë, as agjenti im i udhëtimeve, as transportuesi nuk e marrin këtë parasysh. Në fakt, më duket mua se varet nga pasagjeri dhe motivimi i tij/saj të bëjë kërkim dhe të jetë i informuar," tha Senka Korac, 30 vjeçe, nga Beogradi.

Ministria e Infrastrukturës e Kosovës ka marë disa hapa për të informuar pasagjerët rreth të drejtave të tyre nëpërmjet posterave që kanë vënë në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, broshurat në kioskat e linjave ajrore dhe faqen e tyre në internet, thanë zyrtarë të ministrisë.

Në aeroport, pasagjerët mund të gjejnë gjithashtu "format e ankesave që mund të dërgohen në kompaninë e linjës ajrore përgjegjëse për transferimin e pasagjerit," tha Ismail Berisha, drejtor i ngarkuar i Departamentit të Aviacionit Civil në Ministrinë e Infrastrukturës së Kosovës.

Ministria që do të zbatojë rregullat e reja, do të ndërhyjë në qoftë se linja ajrore nuk pranon të përmbushë detyrimet e saj ndaj udhëtarit.

Safet Sahiti, një mjek nga Prishtina, tha se udhëton shpesh, por ka nisur vetëm tani së fundmi të kërkojë kompensim nga linjat ajrore.

"Ishte faji im që nuk isha në dijeni të të drejtave të mia si një pasagjer, por tani kam pasur një gjendje kur jam kompensuar," tha Sahiti për SETimes.

Berisha tha se udhëtarë janë inkurajuar të lexojnë të drejtat e tyre dhe të mësojnë sesi të përdorin format e vendosura atje për t'u ankuar.

A jeni kompensuar ndonjëherë për një vonesë fluturimi? Jepni përvojën tuaj në komente më poshtë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›