E Martë, 3 Nëntor 2026

Merrnin ryshfet nga furrtari për rimbursim energjie, në pranga dy punonjës të OSHEE

Dy punonjës të OSHEE janë arrestuar nga Policia pas publikimit të një videoje në një emision investigativ, ku shfaqeshin duke i marrë para një person, me qëllim rimbursimin e energjisë elektrike dhe ndryshimin e tarifimit për biznesin e tij.

Dy punonjësit, konkretisht 54 dhe 63-vjeç kanë kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Policia ka sekuestruar 500 mijë lekë dhe 3 celularë.

“Në lidhje me rastin e transmetuar  mbrëmë, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, që bënte fjalë për 2 punonjës të OSHEE-së, të cilët i kanë marrë shuma të ndryshme parash, një shtetasi, me qëllim rimbursimin e energjisë elektrike dhe ndryshimin e tarifimit për subjektin e tij (furrë buke), ju bëjmë me dije se:     

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që shfaqen në video.       

 Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë arrestuan shtetasit:

– A. P., 54 vjeç dhe R. K., 63 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 500 000 lekë dhe 3 celularë”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›