E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merrnin ryshfet për pensionin e invaliditetit, tre mjekë arrestohen në flagrancë

TIRANË- Tre mjekë të Elbasanit janë kapur sot në flagrancë duke iu marrë para personave me aftësi të kufizuara që aplikonin për pensionin e invaliditetit. Ata janë prangosur në ambientet e punës, pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Gramsh, teksa kryenin vlerësimet e pacientëve jo kundrejt sëmundjes, por kundrejt shumës së parave që kishin në xhep. Në cilësinë e provës materiale iu gjetën edhe 65 mijë lekë (të reja).

Mjekët që tashmë gjenden në paraburgim, nën akuzë për mitmarrje, janë Ervedin Sabit Pudre, 49 vjeç, mjek i përgjithshëm në Spitalin e Elbasanit, nga Dibra por me banim në Elbasan. Adrian Agim Palloshi, 43 vjeç, mjek urolog në spitalin e Elbasanit, lindur në Tiranë dhe banues në Elbasan. Astrit Xhelo Leka, 62 vjeç, mjek kardiolog në spitalin e Librazhdit dhe banues në Librazhd.


Aksioni është kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila bëri me dije sot se "tre shtetasit e mësipërm, anëtarë të Komisionit Mjeko-Ligjor për dhënien e Invaliditetit në Punë, janë kapur në flagrancë pas një hetimi disa mujor. "Mjekët iu merrnin para, banorëve të rrethit Gramsh në këmbim të dhënies së pensionit të parakohshëm si invalid me aftësi të kufizuara", bëri të ditur policia.

Mjekët iu nxirrnin pengesa qytetarëve, duke iu bërë presion që të paguanin para për të përfituar pension. Sot, kishin marrë 65 mijë lekë tek 9 persona që kishin shkuar në zyrën e tyre për të bërë përcaktimin e grupit të invaliditetit dhe përfitimin e pensionit të invaliditetit.

Materialet në ngarkim të personave të arrestuar i kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale të 'Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike të kryer në bashkëpunim'.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›