"Rigoni", që s'u bë dot "Lis"
Na ishte njëherë një "Rigon" nga një periferi e largët e juglindjes që punonte jashtë atdheut në Napoli. Ishte picier. Qëllon që pikërisht ai, bëhet një ditë milioneri i vendit të tij të vogël. I shndërrin ylli i pasurisë, kur thonë.
Ndoshta jo prej aftësive po ç'rëndësi ka kjo. Në vendin e tij të vogël, asgjë nuk shkon drejt e të gjithë mbyllin sytë.
Pra, thonë se papritur e papandehur, u pasurua sa më s'ka. Më paranë, thonë, e hidhte ujin përpjetë. Oferta transaksionesh të mëdha financiare andej - këtej. Kishte edhe bekimin e atij të madhit fare. Sulltanit.
Ndaj në çdo cep të vendit ndërtoi sa hap e mbyll sytë nga një karburant të bekuar që prodhonte para për vete dhe për Sulltanin. Zonjat e para të vendit të vogël i shkonin nga pas, ose thënë më saktë, Rigoni i shoqëronte në paradat e tij shumëmilionëshe. Dhe kështu..., Rigoni rritej. Dora e Sulltanit të tij i tregonte udhët për nga të ecte, mendja e ndritur e Sulltanit i tregonte se nga dhe si duheshin hedhur paratë.
Madje Sulltani e ndihmoi edhe ca më shumë se kaq. Ai i dhuroi Rigonit të tij të vogël një pasqyrë që kur Rigoni të shihte veten të dukej i madh sa një Lis i lartë e i fortë. Rigoni, tashmë ishte i bindur në atë që ishte. Tregonte andej-këndej historinë e tij magjike: se si i vetëm dhe për fare pak kohë ia kishte dalë të bëhej Lis me ndershmëri e pastërti. Për dreq edhe vetë mendja e tij nisi t'i thoshte se ishte Lis i gjatë e degëshumë.
Por, jo të gjithë i hanin përrallat e Rigonit.
Seç ishin ca dreq lajmësish në vendin e tij të vogël që nuk e linin Rigonin rehat. Ata dhe vetëm ata ia prishnin punën. Me Sulltanin nuk ia ngatërronin dot fijet se s'kishin se si. Po ishin ca lajmës të bezdisur që kërkonin të tregonin një tjetër histori, jo dhe aq të bukur.
Në këtë histori Rigoni dukej ashtu siç ishte vërtet dhe jo ashtu siç e tregonte pasqyra magjike e Sulltanit: dukej thjesht ... Rigon!
Këta nuk u përngjanin të tjerëve që përtypnin fletët e rigonit kur ky i fundit ua niste për servirje në tavolina apo dhe në forma të tjera. Këta mëtonin të vërtetën, dhe bënin zhurmë.
Nga ajo lloj zhurme që i linte pa gjumë familjet e Rigonëve.
Sigurisht fajin e kishin lajmësit. Pasqyra e Sulltanit ishte korrekte. Ndaj vendosi Rigoni t'ua thyente degët këtyre lajmësve të bezdisur.
Dhe e bëri. Por ç'ndodhi? Pikërisht për shkak të ngjarjes, na u zbulua shpejt se Rigoni që e mbante veten për Lis nuk ishte i tillë. I shkreti Rigon nuk dinte ku të futej. Ec e ec, mbërriti para mureve të kështjellës së Sulltanit. Muret gëlonin nga Rigonët, por e gjeti dhe Rigoni ynë një skutë.
Sulltani rrinte i qetë. E kishte bërë zakon kohët e fundit të thoshte shpesh: ".. - Kjo zhurmë, do zgjasë tre ditë e më pas do harrohet"..
Po a e dinte Sulltani i madh atë shprehjen e vendit të tij të vogël "Fisi do shkojë në fis/ Rigoni nuk bëhet Lis"? Që ti kujtohej, duhej të hiqte pak dorën nga xhepi. Shumë njerëz pyesnin veten përse kohët e fundit Sulltani nuk e hiqte kurrë dorën nga xhepi? Aty brenda kishte një sekret. Sulltani mbante aty një pasqyrë... Fiks si pasqyra e Rigonit tonë.