E Diel, 1 Nëntor 2026

Merrte para për të ndikuar te gjyqtarët, avokati dënohet me 20 muaj burg

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dha sot vendimin për avokatin Bardhi Koçi, të akuzuar se është munduar të ndikojë në vendimet e gjykatësve, në të paktën tri raste.

Sipas vendimit të sotëm, trupa gjykuese vendosi bashkimin e dënimeve në një masë të vetme prej 2 vite e 6 muaj burgim, e cila u ul me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke përfunduar në 1 vit e 8 muaj burgim.

Gjykata urdhëroi po ashtu pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vënien e Bardhi Koçit në shërbim prove për një periudhë 3 vite e 4 muaj, me detyrimin për t’u paraqitur pranë Shërbimit të Provës dhe për të mos kryer vepër tjetër penale gjatë kësaj kohe.

Po ashtu, GJKKO vendosi një dënim plotësues për Bardhi Koçin, duke i hequr të drejtën për të ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë 3-vjeçare.

Në të njëjtën çështje, gjykata shpalli fajtore edhe Pranvera Meshin për të njëjtën vepër penale, duke e dënuar fillimisht me 1 vit burgim.

Pas uljes me 1/3 të dënimit, masa përfundimtare u caktua 8 muaj burg, nga e cila Pranvera Meshi u përjashtua nga vuajtja e dënimit.

Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e masave të sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për të dy të pandehurit, si dhe kthimin e një telefoni celular Pranvera Meshit, ndërsa materialet e tjera provuese mbeten pjesë e dosjes gjyqësore.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›