E Hënë, 2 Nëntor 2026

Merz mbron politikat kundër azilit-Kancelari gjerman: Do kthejmë migrantët e paligjshëm në kufi

Qeveria gjermane thotë se do të vazhdojë politikën e saj kryesore të kthimit të azilkërkuesve në kufijtë e saj, pavarësisht vendimit të një gjykate kundër kësaj praktike. Kjo politikë u miratua më 7 maj, vetëm një ditë pasi kancelari konservator Merc dhe kabineti i tij morën detyrën me premtimin për të goditur migracionin e parregullt.

Kancelari gjerman Friedrich Merz mbrojti të martën politikat e qeverisë së tij kundër migracionit duke i cilësuar ato jetike për të mbrojtur sigurinë publike. Deklarata e tij erdhi një ditë pasi një gjykatë vendosi se një politikë e tillë ishte e paligjshme.

Gjykata e Berlinit tha të hënën se zyrtarët kufitarë gjermanë nuk mund t’i kthejnë mbrapsht azilkërkuesit përpara se të përcaktohet se cili shtet është përgjegjës për përpunimin e kërkesave të tyre bazuar në rregullat e BE-së, duke iu përgjigjur një ankese të ngritur nga tre shtetas somalezë të cilëve iu refuzua hyrja nga Polonia në Gjermani.

“Vendimi i gjykatës mund të kufizojë hapësirën tonë për manovrim, – pranoi Merz para një takimi të zyrtarëve të qeverisjes vendore në Berlin, – por është paraprak dhe ne e dimë se mund të vazhdojmë me kthimet e migrantëve të paligjshëm në kufi”- këmbënguli kancelari gjerman duke shtuar se kjo politikë po zbatohet për të mbrojtur sigurinë dhe rendin publik në vend.

Merz theksoi se politika, e cila ka shkaktuar tensione me disa nga fqinjët e Gjermanisë, do të zbatohet brenda kuadrit të ligjit ekzistues evropian. “Masat janë të përkohshme derisa siguria në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian të përmirësohet”- u shpreh kancelari konservator. Dëbimi i emigrantëve pa dokumente në kufijtë e Gjermanisë, përfshirë pothuajse të gjithë azilkërkuesit, ishte një nga premtimet kryesore të fushatës së Merz përpara zgjedhjeve të shkurtit.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›