E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mërzia e papërballueshme e një loje

Më shumë se një mjedis festiv, që duhet të jetë i natyrshëm për shkak të asaj që përfaqëson futbolli në të gjithë botën, mbyllja e kampionatit tonë i ngjasoi një hapësire trishtuese të mbuluar nga një mjegullnajë mosinteresimi. E gjithë rruga prej gati një viti, nëpër të cilën u jargavit kjo garë futbolli, nuk ka qenë veçse një mërzi e papërballueshme prej atyre pak spektatorëve që edhe këtë herë, ashtu si gjatë gjithë kësaj dekade të fundit, kanë parë të luhet një lojë e pisët në të gjitha drejtimet. Përveç një entuziazmi të shndërruar në privilegj në Korçë prej tri vitesh, që kurse ky qytet iu është rikthyer titujve kampionë të harruar që nga 1933-shi i largët, si dhe një befasie të këndshme që shfaqi ekipi debutues i Kukësit, i ngjitur deri në majat e renditjes së kategorisë superiore, çdo gjë tjetër e lidhur me këtë kampionat ka qenë një njollë e zezë që sa vjen e bëhet më e madhe. Jo gjithmonë fasada e lustruar i mbulon pisllëqet pas kuintave, siç mund të mendojë ndonjë që teksa njihet me renditjen mujore të FIFA-s, që e radhit Shqipërinë në vend të 43-të, harron se çfarë grope mbushur me mbeturina ka krijuar futbolli ynë, përfshi këtu edhe garën e këtij kampionati që tashmë është mbyllur. Ky “termometër” për standardet e një sëmundjeje kalimtare si gripi, siç mund ta quajmë këtë renditje mujore të FIFA-s, gjithsesi nuk është aspak vlerësues për një sëmundje me të vërtetë kanceroze që e ka mbërthyer futbollin tonë në vend, ku niveli i dobët i ndeshjeve, zbrazëtia e frikshme e stadiumeve, pazarllëqet dhe trukimet e regjistruara në mes të ditës e faqe të gjithëve, përbëjnë vetëm majën e ajsbergut. Është një spekulim i pacipë i disa mashtruesve tek ne, që faktin e mësipërm të “rritjes mujore” të futbollit shqiptar ia kundërvënë ndonjë vendi si Sllovenia, që na u radhiska pas nesh, kur dihet mirëfilli se ky pjesëmarrës i grupit tonë eliminator ka provuar të jetë finalistë i kampionateve europiane dhe botërore, ndërkohë që për ne një biletë për atje ka qenë e mbetet një ëndërr e parealizuar, gati e përjetshme! Mjafton të kujtojmë se çfarë maskarade u luajt gjatë ndeshjeve të kampionatit dhe të Kupës tek ne, për të kuptuar realitetin e shëmtuar të këtij futbolli, ndërkohë që prapaskenat janë edhe më të errëta nëpër kategoritë inferiore dhe ato të të rinjve. Javët që kaluan shënuan mjaft ngjarje të tilla sa mjaftojnë për të hedhur poshtë çdo iluzion të atyre që ushqehen me statistika utopike. Sepse nuk mund të quhet rritje dhe zhvillim në futbollin e një vendi, kur gati gjysma e ndeshjeve të një kampionati të të rinjve nuk u luajtën, apo fakti se në ca ndeshje në vend të lojës, në fushë zhvillohej një luftë absurde mes policisë dhe futbollistëve dhe ku në vend të mjedisit sportiv me flamuj e pankarta, shiheshin skafandra dhe shkopinj të larë me gjak!?
Në këtë mërzi e trishtim të papërballueshëm, si rrjedhojë e kësaj gjendjeje të përsëritur prej vitesh, bëjnë pjesë edhe të ashtuquajturat përpjekje, në fakt të dështuara, për të shmangur allishverishet dhe korrupsionin në atë që tani ka marrë emrin shit-blerje ndeshjesh. Gjasat janë që në rrjedhën e tyre të turbullt të përfundojnë edhe disa dosje të hapura kohët e fundit, sepse xhungla e krijuar prej vitesh është bërë shumë e dendur, tepër e ngatërruar dhe pa asnjë rrugëdalje. Të mos paguash prej muajsh lojtarët, duke i detyruar ata që të bëjnë grevë dhe të bojkotojnë stërvitjet, këto nuk janë fakte që tregojnë zhvillimin e futbollit të një vendi, përkundrazi flasin për degjenerimin e tij. Të mbyllësh një sezon me ndeshje që e kanë pasur të vështirë për të gjetur vendin e zhvillimit të tyre, sepse mungojnë fushat e stadiumet, ky gjithashtu është një tjetër turp për këtë futboll spekulativ që pretendon se ia kalon Sllovenisë, ndërkohë që çirremi sa s’ka më, se jemi vendi që kemi arritur standardet më të larta në Europë!? Ka plot gjëra të tjera që ta bëjnë edhe më të papërballueshme mërzinë që të vjen nga kjo lojë e pisët që luhet tek ne, ku shumëkush nuk e ka për gjë që të ngryset i majtë e të gdhihet i djathtë, apo e kundërta, por paradoksi që i vë kapak temës së trajtuar është lajmi i rikthyer se, së shpejti klanet klienteliste të federatës do të nisin rrënimin e tempullit kombëtar të futbollit tonë, kur disa ditë më parë, ai, që në fakt është më i pushtetshmi dhe i pari i Tiranës, kryebashkiaku Lulzim Basha pat deklaruar të kundërtën se, “Qemal Stafa” do të qëndrojë aty ku është dhe se stadiumi i ri do të ndërtohet diku tjetër, në arteriet e zgjatimit të bulevardit kryesor...
Në gjithë këtë gjullurdi të këtij vendi ku jetojmë e zhgënjehemi përditë dhe ku duket se nuk e merr vesh i pari të dytin, si mund ta dish apo ta ndash realitetin nga gënjeshtra?...  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›