E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes banorëve të Bregut të Lumit, të cilët nuk e gjetën dot kurrë bregun e jetë

SAM_1800Nga Veledin Durmishi

Ska asgjë të panjohur për këta njerëz. Media përditë  bën protagonist të lajmeve, kronikave të saj banorë të kësaj pakice kombëtare që përtej kufijve të paperceptuar të mjerimit, kërkojnë burimin për të mbijetuar, kur këtë askush nuk ua fal, nuk ua premton.  Të gjithë i njohim.  I ndjejmë pranë si frymëmarrjen tonë, i shikojmë me ca sy  të dhimbshëm, por që pamundësia jonë për ti ndihmuar ndihet që larg. Edhe ata e dinë këtë. Por mjaftohen se nuk e kanë inatin me ne të ndryshmit nga ata, por inatin e kanë me të tjerët, ata që kanë pushtet e që në emër të tij abuzojnë edhe me këtë kategori për të cilët të vret Zoti.  Të paktë janë, por sjellja e pushtetit tonë sikur i trazon ata disa herë, sa herë që dalin në sipërfaqe klane, interesa të pushtetmbajtësve. Se pushteti atyre u është qepur me bukë ne trastë, këmba-këmbës. I ndjek si çifutët në Evropë. I përzë kudo që i shfaqen, u prish shtëpitë, u vjedh bukën e tyre të përditshme, kanaçet,  e të shkretët vrapojnë te dy  miqë e tyre më të mirë, Avokati i Popullit dhe medja.

*      *      *

Në një gjatësi prej tre km. në Veri të kryeqytetit, aty ku lumi i Tiranës  aq trishtueshëm nxjerr gjithë fëlliqësitë e një qyteti ende jo të formësuar qytetarisht, e që një rrugëtim  aty të jep e të mban në qerthullin e vet një  trishtim njerëzor e ku përditësia  dëshmon një shkreti shpirtërore, pra,  në këtë rrjedhë të Lumit të Tiranës, sheh një gjymtyrë të gjymtuar të një qytetërimi që bën gjithçmundet për të dalë tej vetes e për të kapur rrjedhat e hapësirave të reja të cilat vijnë aq  rrëmbyeshëm e për të gjetur atë formulë e cila e shpie qytetërimin tonë në portat e qytetërimit Evropian. Ky lum i trishtë ndan lagjen Allias, minibashkia numur 10, nga bregu tjetër,  Babrru. Më i ndoturi është ky lum, më i ndotur nga gjithë lumenjtë të cilët kudo në Shqipëri janë basene të mbeturinave urbane, jashtëqitjes njerëzore e shtazore. Më i ndoturi për shkak të popullsisë së shumtë rurale që është vendosur në të dy krahët e tij e për më tepër, nga një mungesë e gjatë e vëmendjes së pushteteve  në këto 22 vjet demokraci. Pirgje mbeturinash  nxijnë e zbardhin gjithë gjatësinë e të dy krahëve të lumit.  Në shtratin e  tij lëviz një ujë i pistë  si të buronte nga ngjyra e mjerimit e banorëve fatkeqë, ku barakat e tyre të trishta e të shtrembërta si vetë jeta e tyre, janë dëshmia më e keqe, pamja më fatkeqe,  ku  qytetërimi ynë shfaq anën e vet më të shëmtuar. Këtu janë vendosur ajo pjesë që ne i quajmë pakicë kombëtare e që rëndom i quajmë Romë. Emërtime të shuma ka për këtë kategori e askush nuk bën dot qartësisht dallimet; romë, ashkali, evgjit, egjyptianë, ciganë, kurbatë, gabelë, gatalë, por, pavarësisht kakofonisë, ata janë njerëz e duhet të jetojnë si të tillë. Mbi 400 familje jetojnë këtu, 400 kasolle që lëndë të parë kanë llamarina, fibra, mushama, plastmasa, kartona, kompesata të gjitha këto të mbledhura e të gjetura te e vetmja punë e tyre; mbeturinat e qytetit tonë rë madh. Aty te këmbët e urës për në Babrru zë fill habitati i familjeve rome. Lumi rrjedh aty poshtë i zi, i pistë si Akeroni, lumi i ferrit.  Një burrë i paktë në trup, pamja e të cilit  e shpje këtë njeri te të 70-at u ngrit në këmbë sa i fola. I hollë, i lodhur, i brobitur, me një palë sy të trishtë, por edhe njerëzorë. I dëshpëruar deri në kufijtë e absurdit sa  mund të çuditesh se ku janë ato fije që e mbajnë këtë njeri lidhur me jetën. E quajnë, Sefedin Shukri e është vetëm 48 vjeç. Martuar tri herë, e kishte shtatë fëmijë. Gjashtë ishin martuar e të voglin e kishte në shtëpi me probleme të rënda psikike.  Mungesa e shërbimit mjekësor në kohë e kishte sjellë djalin  e tij në atë gjëndje. E flet Sefedini për hallet e tij të shumta të cilat nuk i rregullon askush veç. vdekja. Por ai, për çudi,  të flet për jetën e mundohet ta kap atë. Herë pas here hedh dorën në të majtë të kraharorit e më thotë se vuan nga zemra. Ka pak kohë që i  jep një krizë. Pse nuk shkon te mjeku, i thashë unë, duke menduar se kjo është fjala më e përshatshme në të tilla raste.  Ai heshti pak çaste, e më pa me një palë sy që unë munda ti deshifroja: pse tallesh me mua!!! Por ai smë tha ashtu, – eh, a ka mjek që më prek mua më dorë!!! Më vrau me ato fjalë, e unë u zura ngushtë sikur  edhe unë kish pak përgjegjësi për atë gjëndje.. Pak çaste boshësie. Ai kishte mbledhur një tufë rigoni e i mbante në dorë. Më kërkoi tu merrja erë duke më thënë; -I pëlqen gruaja. I përdor në gjellë e më pas- e, ku bëjmë gjellë ne! Ura rrinte sipër nesh si një sfinks e poshtë saj, dy vajza,  futur deri mbi gjunjë në atë ujë aq të pistë, diçka nxirrnin nga uji. Aty është puna e tyre e përditshme. Bukën e përditshme falma, Zot!!!  Gruaja e Sefedinit  atë mëngjes kishte dalë për të lypur aty te rruga kryesore, bri spitalit Nënë Tereza. E kishte blerë një bukë e dy kg domate me lekët e lypjes. Merr një përkrahje sociale nga minibashkia, të gjitha 5 200 lekë, por ato mjaftojnë vetëm për pak ditë. Sefedini nuk  mund të punojë dot. Ka një dhimbje në shtyllën kurrizore dhe herë pas here hedh dorën te zemra. Dikur kanë bërë shporta, kanistra, por tani i kanë lënë. Tani nuk janë të sigurt aty te ai vend mizerjeje, sepse kohë më parë u kishin thënë se duhet të iknin që andej se do të ndërtohet një rrugë. E Sefedini më tha:- Ku do të na shpjenë!?  E më pas eh, ja na përzënë e për ne kush do të mendojë!? Aty vjen  Romeua. Një motorr pas të  cilit ka ndërtuar një minikarrocë rri para nesh. Karroca është mbushur me mbeturina ushqimore, perimesh e zarzavatesh. Ka një derr e është ushqimi i tij. Romeua ka dhjetë ditë që nuk e ka nxjerrë motorrin, që kur policia bashkiake i konfiskonte ata nëpër rrugë. Djali është i ri, energjik.  Vapa e gushtit  sikur e ka nxirë më tepër nga  çka pigmenti i fytyrës. Ka një mllef, ndruhet nga unë, por nuk ishte aspak e vështirë ta dallojë atë  zemërim që i vlonte në kraharor, pse jo edhe te duart e tij të thata, por të forta. I lodhur, i fyer, por jo i dorëzuar deri te kufijtë e vdekjes. Ai flet dikur e unë shoh një fill nervi që si një shkarkues elektrik regëtin  ballin e tij. Po me ne çdreqin patën? Edhe plehrat na i vjedhin, na rrahin udhëve,  çmbeti tani, le të na vrasin. Kishte pirë kafe në një lokal dhe atje kishte dëgjuar se  ai polici që u është qepur këmba-këmbës, paska dalë në medja tani duke shëmbur  ndërtimet pa leje, se ai një vit më parë i ndiqte të mjerët me bukë në torbë. E më pas tha;- Edhe Hitleri nuk i ndiqte kështu hebrejtë, siç na ndjekin ne, ja mund të na përzënë edhe këtej e pastaj në Sharrë   E lëmë bisedën  e unë shkoj mysafir në shtëpinë e Sefedinit. Ai, si i zoti i shtëpisë, më priu rrugën e te dera na priti Brikena, gruaja e tretë e Sefedinit.  Pamja i jep 50 vjetë, por ajo është vetëm 34 vjeçe. Ka një fytyrë të qeshur, por qeshja i tregon dhëmbët e saj të parë që i mungojnë pothuaj plotësisht. Më ftoi në dhomën e miqve duke thënë;- Na falni se na gjetët pak rrëmujë! Një korridor  ku dallohej një çesmë mbi një lavaman prej betoni e brenda tij dy-tri pjata. Në të majtë një derë me dërrasa të mbledhura rrugëve, e ajo ishte dhoma e pritjes. Tri krevate ishin aty të rregulluar, një dollap rrobash pa dyer, dhe mjerimi që qartësisht të shkakton një dhimbje e që të sjellë një pështjellim në koshiencën tënde. Sefedini më ftoi të ulesha, ndërsa Brikena tha:- Nuk kemi të të bëjmë një kafe!!! Kisha humbur diçka nga shpirti im. Ndjeva një grishje torturuese,  sikur një topitje skllavërues po më mpinte shqisat, shpirti po më zbrazej, ndërsa unë, që nuk dija ku ti hidhja sytë, po përjetoja një pështjellë çoroditëse  e cila po më mbante aty mbërthyer. Ishte freskët aty e unë hodha sytë tavanit i cili kishte kartona  dhe shkumë deti. Në dimër pikon,- foli Brikena. Ndërsa i shoqi tha- Eu, kush e di ku na flakin gjer në dimër,- dhe largoi sytë. Ai nuk qante. A

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›