Mes detit dhe pyllit me pisha, Darëzeza tërheq gjithnjë e më shumë pushues

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Mes gjelbërimit të pyllit me pisha dhe brigjeve të Adriatikut, plazhi i Darëzezës, rreth 20 kilometra nga qyteti i Fierit, po përjeton një sezon turistik me fluks të lartë pushuesish.
I njohur për rërën kurative, ujërat e pastra dhe pyllin shekullor që shtrihet përgjatë vijës bregdetare, Darëzeza ofron një ndërthurje të veçantë të peizazhit natyror me qetësinë që kërkojnë pushuesit.
Investimet e realizuara vitet e fundit për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sistemimin e hapësirave publike dhe shtimin e shërbimeve kanë ndikuar në rritjen e interesit për këtë destinacion, duke e bërë Darëzezën një nga pikat turistike me potencial të lartë në bregdetin e Fierit.
Gjatë kësaj vere, plazhi është frekuentuar nga mijëra pushues, të cilët vlerësojnë ujërat e cekëta, rërën e imët dhe ambientin natyror që e karakterizon zonën.
Përveç plazhit, zona ofron mundësi për shëtitje dhe aktivitete në natyrë, duke e bërë destinacionin tërheqës për të gjitha grupmoshat.
Darëzeza po fiton gjithnjë e më shumë vend në hartën e turizmit shqiptar, duke ofruar një alternativë tërheqëse për ata që kërkojnë natyrë, qetësi dhe pushime cilësore pranë detit.
Plazhi i Darëzezës ka një vijë bregdetare rreth 7,5 kilometra të gjatë, me rërë të imët dhe ujëra të cekëta. Në gjithë vijën bregdetare gjenden duna ranore, të shpallura monument natyre, të krijuara nga grumbullimi i rërës për shkak të erërave të forta bregdetare.
Darëzeza njihet për rërën e pasur me jod dhe për mjedisin e ruajtur natyror, duke qenë një nga plazhet që ende ruan karakterin e tij natyral.
Falë erërave të favorshme, zona është e përshtatshme për sporte ujore, duke tërhequr sportistë dhe të apasionuar pas këtyre disiplinave.
/k.s/j.p/r.e/