E Diel, 1 Nëntor 2026

SafeJournalists kërkon rishikimin e rregullave për aksesin e medias në GJKKO

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Rrjeti SafeJournalists shprehu shqetësim për disa dispozita të Rregullores së re të Brendshme të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), që sipas tij mund të kufizojnë punën e gazetarëve dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.

Në një deklaratë të publikuar sot, rrjeti vëren se rregullorja, e miratuar më 17 korrik dhe e publikuar më 31 korrik 2026, parashikohet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Sipas SafeJournalists, disa prej dispozitave krijojnë kufizime të panevojshme për ndjekjen e seancave publike, mbajtjen e shënimeve, komunikimin me redaksitë dhe raportimin në kohë.

Rrjeti ngre shqetësime veçanërisht për akreditimin vjetor dhe individual të gazetarëve, procedurat e kërkesave për akses, si dhe ndalimin e përdorimit të telefonave celularë, laptopëve dhe pajisjeve të tjera elektronike gjatë ndjekjes së seancave.

SafeJournalists argumenton se akreditimi nuk duhet të shndërrohet në kusht për ndjekjen e procedimeve publike dhe se kufizimet për pajisjet elektronike duhet të jenë më të përshtatura, duke lejuar, për shembull, mbajtjen e shënimeve në heshtje dhe komunikimin profesional me redaksitë.

Rrjeti kërkon gjithashtu që kufizimet për mbulimin audioviziv të jenë të arsyetuara dhe proporcionale, ndërsa çështjet që lidhen me përmbajtjen e publikuar nga gazetarët të trajtohen përmes legjislacionit në fuqi dhe mekanizmave të etikës profesionale, dhe jo përmes sistemit të akreditimit.

SafeJournalists i bën thirrje GJKKO-së të pezullojë zbatimin e dispozitave të kundërshtuara dhe të zhvillojë një rishikim të tyre përmes konsultimit me gazetarët, organizatat e medias, ekspertët ligjorë dhe shoqërinë civile.

Sipas rrjetit, çdo kufizim i aksesit të medias duhet të jetë i përcaktuar qartë, i bazuar në ligj, i nevojshëm dhe proporcional, ndërsa refuzimet apo masat ndaj gazetarëve duhet t’i nënshtrohen një mekanizmi të shpejtë dhe efektiv rishikimi.

Deklarata mban datën 7 gusht 2026 dhe është nënshkruar nga organizatat e gazetarëve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›