E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes fakteve dhe trillimeve

Nga Express më 09 qershor 2011 në ora 09:03

Artistë të rinj të teatrit nga Belgjika, Gjermania, Izraeli, Holanda, ShBA dhe nga shtetet e Ballkanit, vijnë me tekste, projekte dhe drama në Prishtinë për takimin teatror “PLAYgrounds Between Facts and Fiction".

Ata reflektojnë për funksionin e teatrit, për mënyrat e reja të prezantimit dhe perceptimit nga publiku, për mënyrat e shprehjes artistike dhe për FushëLojat e tyre. Në panele ndërkaq do të reflektohet roli i realitetit historik dhe social në teatër, dhe anasjelltas: Si mundet teatri të luajë lojën e tij me realitetin.

Në mesin e mysafirëve janë kolektivet teatrore Herbordt/Mohren (Gjermani) dhe Lunatiks (Gjermani) me shfaqjen “livingROOMS” (DHOMAT e Ndejës), që luhet në një apartament; dhe Biljana Srbljanovic (Serbi) me leximin skenik të dramës së saj “Rrëfime Familjare”.

Ndërkaq, artistë dhe ekspertë të teatrit, si Jens Dietrich (Gjermani), Jörg Karrenbauer (Gjermani) dhe Sanja Mitrović (Serbi/ Holandë), Zana Hoxha-Krasniqi (Kosovë) dhe Stef de Paepe (Belgjikë), do të prezantojnë projektet e veta. Dramaturgja Simona Semenic (Slloveni) dhe disa të tjerë do të flasin për tekstet e tyre, kurse në Teatrin Kombëtar do të prezantohet shfaqja e Karen Malpede, që bazohet në ngjarjet e 11 shtatorit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›