E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes nesh, zhvarrosës të Shqipërisë

Imagjinoj një grup të rinjsh gjatë natës duke hapur varre të vjetra katolike, duke hedhur eshtra andej këtej, e duke marrë parà nga familjet që dëshironin me çdo kusht t’i varrosnin të dashurit e tyre në këtë hapësirë magjike. Ata të rinj, në fillim të viteve ’90 sot janë mesoburra e nuk “bëjnë më duart pis” me këtë punë. Por janë zëvendësuar, me të tjerë të rinj, dhe kjo masakër vazhdon pa mbarim. Edhe në varrezat e Rrmajt dhuna ka një hierarki: në shënjestër janë varret e vjetra e familjeve modeste, të ish-persekutuarve, apo të të ndriçuarve si Fishta, Mjeda. Të pasurit e fundviteve ‘800 kanë akoma forcë të mbajnë larg hajdutët e shekullit tim edhe për së vdekuri.
Pse duhet ta vrasin shumë mendjen këta dhunues varresh, kulture, e tradite? Ata ndjehen komodë në mentalitetin e shumëve? E njëjta gjë bëhet me zhvarrosjen e çdo pune të bërë më parë nga të tjerë shqiptarë. A nuk ndodh kështu me Kushtetutën, për shembull? Zhvarrosës të ligjit e kanë pasion ta shkelin e ta përdorin për interesa përfitimi. A nuk ndodh kështu me qytete të tëra me vlera arkitektonike e monumentale? Zhvarrosës të civilizimit e kanë pasion rrënimin e godinave që dëshmojnë civilizimin tonë. A nuk ndodh kështu dhe me zhvarrosësit e natyrës, pemëve, gjelbërimit, luleve? Edhe këta, pa pritur natën, në ditën me diell, rrafshojnë çdo gjë.
Të themi të drejtën, mes nesh ka zhvarrosës pasionantë. Cmund të thoni për ata bashkëqytetarët tanë që punojnë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, të cilët, gabimisht (me qëllim apo jo) i kanë përcjellë ambasadorit Arvizu idenë se një gazetë e ka ofenduar me sulme që kanë për bazë racën dhe etninë. Dhe kjo nuk është e vërtetë. Ky zhvarrim i principit të së vërtetës e të lirisë së fjalës e mendimit të fituar me aq mund nga ne shqiptarët e çon ambasadorin e një vendi, pishtar të këtyre principeve, të ndërmarrë veprime pa paprecedent ndaj një medie.
Mendoj ata, hajdutëthit e varrezave katolike të Rrmajt, të kenë kaluar nëpër duar eshtrat e Mjedës e Fishtës (uroj të mos ketë ndodhur kjo e ato eshtra të jenë në atë varrezë) e t’i kenë hedhur në Kir. Punojnë në errësirë, pa e vrarë shumë mendjen. Zhvarrosin e zhvarrosin. Vepruan e veprojnë sepse të tjerë bashkatdhetarë ua krijojnë lehtësinë. Punojnë çdo ditë për të varrosur Shtetin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›