E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futboll, Lazio heziton për Canën, në garë futet edhe Interi

TIRANE-Mesfushori i kombëtares shqiptare dhe i klubit të Gallatasarait në Turqi, Lorik Cana, gjithnjë e më tepër është shndërruar në një personazh merkatoje midis Turqisë, Anglisë, Gjermanisë dhe Italisë.

Sipas mediave italiane dhe turke, kalimi i tij tek Lazio në Itali, që dukej një çështje thuajse e mbyllur, është vështirësuar pak si pasojë e ofertës së Lazios dhe rrogës që pritet të përfitojë lojtari. Kjo, pasi shuma që Cana do të paguhet neto në sezon tek klubi roman është vetëm 800 mijë euro, ndërsa në Turqi ai përfiton 2,5 milion euro neto në një sezon.

Gjithashtu, problem i pazgjidhur është edhe diferenca prej 2 milionë eurosh mes ofertës dhe kërkesës. Gjigandët turk të Gallatasarajit kërkojnë plot 8 milionë euro, ndërsa Lazio deri tani është mjaftuar me ofertën e 6 milionë eurove. Pritet që këto ditë drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, të shkojë në Turqi për të zgjidhur këtë problem.

Por, ky hezitm i Lazios ka bërë që në skenë të futen edhe skuadra të tjera dhe kështu pas interesimit për Lorik Canën të Aston Villës e Volverhemptonit në Angli, Hamburgut dhe Shtutgartit në Gjermani, si dhe Milanit në Itali, tashmë në konkurrencë për të kanë hyrë edhe kampionët e Evropës, Botës dhe Italisë, Interi.

Tekniku i skuadrës zikaltër Leonardo ditët e fundit është vënë në vëzhgim të zëvendës kapitenit të kombëtares shqiptare, njofton faqja e specializuar në merkaton sportive "calcionews24.com", e cila publikoi këtë lajm duke thënë se Leonardo po shikon mundesitë e kalimit të shqiptarit në Milano.

(d.b/ATA/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›