Mes të vendosurës dhe të ashprës
BE-ja, bazuar në atë që deklaron ministri i jashtëm francez dhe ish Shefi i UNMIK-ut, Bernard Kushner, është duke e kërkuar një zgjidhje mes ShBA-ve dhe Rusisë dhe që ajo zgjidhje pastaj t’u imponohet palëve në proces, shqiptarëve dhe serbëve
Shumë pak optimizëm, me shumë frikë. Ecje pa destinacion dhe strategji. Kërcënime dhe premtime në të njëjtën kohë. Deklarata premtuese boshe dhe shpresë se megjithatë do të arrihet diçka në fund. Pavendosmëri në deklarata, por edhe deklarata pa “brumë” ose të tilla që nuk dihet se çfarë fshihet prapa tyre. Ofrohet autonomi e avancuar, por edhe pavarësi e mbikëqyrur, që nuk plotëson kërkesat e askujt. Kjo është situata aktuale nëpër të cilin vazhdon të kalojë procesi politik për të ardhmen e Kosovës. Megjithatë, nuk ndalen së “gjuajturi gjah” për ta gjetur “Llambën e Aladinit” për të parë se mos aty fshihet zgjidhja, apo se ajo do të mund t’ua plotësonte dëshirat palëve.
Nga përrallat kemi mësuar se kjo “Llambë” mundëson plotësimin e të paktën tri dëshirave. Të gjithë liderët politikë, si vendorë dhe ata ndërkombëtarë, kanë mësuar këtë përrallë dhe kanë shpresuar vazhdimisht që një ditë kur të rriten, do të mund t’a përjetojnë në realitet. Duke u nisur nga kjo, serbët kanë dëshirë që të ndodhë përçarja e BE-së; që të ndryshojë qëndrimi ShBA-ve për statusin e Kosovës dhe luten që të mos i braktisë Rusia.
Dëshirat e shqiptarëve janë, që këtë vit t’u njihet pavarësia; që të mos i “tradhtojë” BE-ja, sepse frikësohen nga një gjë e tillë dhe një dëshirë të veçantë apo personale kanë partitë politike dhe liderët e tyre, që t’i fitojnë zgjedhjet dhe të jenë në pushtet. Ndërsa që dëshirat e bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti të BE-së janë, që të pajtohen shqiptarët dhe serbët për një zgjidhje; që të pajtohen ShBA-ja dhe Rusia për një marrëveshje për të ardhmen e Kosovës dhe që natyrisht ajo lutet që vetë të mos turpërohet, për shkak se mund të ndahet në qëndrimet e saja për të ardhmen e Kosovës dhe që do të ishte dështimi i saj me i madh deri me tani ne politikën e saj të jashtme.
Pozicionimi është i fortë nga të gjitha palët. Shqiptarët nuk duan të bisedojnë për diçka me pak sesa ajo që është ofruar me pakon e Ahtisarit, që është pavarësi e mbikëqyrur. Është mëse e drejtë të mbrohet ky pozicion nga pala shqiptare, sepse brenda asaj pakoje janë bërë aq shumë lëshime, sa rrezikohet edhe funksionimi i shteti të pavarur. Në fakt një status i bazuar në pakon e Ahtisarit do ta “torturojë” një Kosovën demokratike dhe do të mund ta detyrojë që të heq dorë krejtësisht nga implementimi i saj. Në anën tjetër Serbia nuk dëshiron të ofrojë asgjë më shumë sesa një autonomi të “pa parë” deri me sot tek ndonjë vend sovran, e që sipas një transkripti të bërë publik, autonomia e gjerë që ofrojnë serbët është ri-qeverisje e Kosovës nga Serbia në largësi apo në distancë. Përmes një zgjidhje të tillë kërkohet që institucionet e Kosovës t’i kenë të gjitha kompetencat që nuk do ta identifikonin si shtet, por asgjë me shumë. Sipas këtij propozimi Kosova do t’i kishte të gjitha ato që i ka pas me 1974 dhe të marra me 1989. Në fakt Serbia tani po ofron një zgjidhje të tejkaluar, të cilën po të kishin ditur ose ta kishin një lider në krye me të mençur se Millosheviçi në vitin 1999, do të na “ngulte” dhe do të na kishte nën sovranitetin e saj edhe sot. Mirëpo, tani është vonë, vërtet vonë dhe kemi bërë dhjetë vite rrugë të mundimshme, pikërisht për të mos e pranuar një zgjidhje të tillë.
Ndërsa pozicioni i bashkësisë ndërkombëtare, sidomos ai i BE-së është konfuz. Përderisa ShBA-ja dhe Rusia i kanë qartësuar pozicionet e tyre për të ardhmen juridiko-politike të statusit të Kosovës, duke u pozicionuar fort, madje duke rikthyer retoriken e Luftës së Ftohtë, përmes vënies së “vijave të kuçe” nga rusët, BE-ja po kërkon “mesin e artë”. BE-ja, bazuar në atë që deklaron ministri i jashtëm francez dhe ish Shefi i UNMIK-ut, Bernard Kushner, është duke e kërkuar një zgjidhje mes ShBA-ve dhe Rusisë, që pastaj ajo zgjidhje t’u imponohet palëve në proces, shqiptarëve dhe serbëve. Një zgjidhje apo kompromis mes qëndrimit të ShBA-ve dhe Rusisë, nga BE-ja është duke u kuptuar edhe si një zgjidhje apo kompromis për të cilin do të mund të pajtoheshin edhe shqiptarët dhe serbët. Pra, BE-ja politikën e saj në këtë linjë e ka orientuar dhe këtu kërkon zgjidhjen, kjo ngase ajo mendon se, si shqiptarët ashtu edhe serbët janë të ndikuar nga këto dy fuqi dhe se do t’i dëgjojnë këshillat e tyre. Madje disa nga shefat e diplomacive evropiane radhazi kohëve të fundit kanë deklaruar se idetë e prezantuara për një zgjidhje, siç është edhe ndarja, u duken shumë “atraktive”. “Të 27 vendet anëtare do të punojnë në mbrojtjen e pozicionit evropian, i cili nuk është domosdo i njëjtë me atë rus, e cila u shpreh pak ashpër....Qëndrimi ynë nuk do të jetë i njëjtë as me atë amerikanë, i cili duket shumë i vendosur. Si rrjedhojë, qëndrimi ynë do të jetë qëndrim evropian”, ka thënë z. Kushner.
Por, cili qenka ai qëndrim i BE-së, që nuk qenka as amerikan dhe as rusë? Ose që nuk qenka aq i ashpër sa ai i rus dhe aq i vendosur sa ai amerikanë? Evropianët janë duke synuar të gjejnë një zgjidhje mes qëndrimit rus dhe amerikanë ose mes vendosmërisë amerikane dhe ashpërsisë ruse. Një nga meset në këtë rast është që të mëdhenjtë të pajtohen që Kosovës t’i japin një të ardhme në perspektiv, që do të thotë jo pavarësi, por premtimin se do të bëhet e pavarur. Ndërsa që Serbisë premtimin që Kosova nuk do të jetë e pavarur, të paktën jo në një periudhë afatmesme dhe të dy palëve se e ardhmja e tyre në fund do të jetë në BE, ku kufijtë nuk do të kenë rendësi.
Megjithatë, ka menduar dikush që, nëse e ardhmja e Kosovës qenka në BE, a mund të varet edhe e ardhmja e BE-së nga Kosova? Kjo në kontekstin që, nëse BE-ja dështon të harmonizojë dhe të flas me një zë për të ardhmen e Kosovës, a do të thotë kjo se ka dështuar në unifikimin e saj si një shtet në krijim. Pra, çfarë do të ndodhë me BE-në nëse Kosova shpall pavarësinë njëanshëm dhe nuk pret që BE-ja ta gjejë “mesin e artë”. A do ta zbehë entuziazmin apo euforinë e evropianëve dështimi i tyre në Kosovë? “Çfarëdo që të jetë zgjidhja, duhet të mbahet uniteti i Evropës. Do të ishte një disfatë për politikën evropiane nëse do të ketë çarje ndërmjet shteteve të cilat do ta njihnin pavarësinë e Kosovës dhe atyre që do ta kundërshtonin atë”, ka vazhduar tutje Kushner.
Kjo tregon se BE-ja shumë me e brengosur është rreth fatit të unitetit të saj, sesa për të ardhmen e Kosovës. Ata janë duke u frikuar seriozisht se do t’u ndodhë me e keqja nëse Kosova i sprovon? Dhe ne duhet t’i sprovojmë ata që ose të dështojnë si krijesë dhe të dëshmojnë se nuk janë të aftë për t’u përballur me sfidat e shekullit të XXI ose të na ofrojnë zgjidhjen, përkatësisht “mesin e artë”, duke treguar guxim, vendosmëri dhe lidership politik. Treshja ndërkombëtare nuk mund të ofrojë zgjidhje, as Rusia dhe as ShBA-ja nuk mund të merren vesh, jo derisa caktohen “vija të kuçe”, që është një imitim i kërcënimit të ShBA-ve i bërë në vitet e ’90-ta për Kosovën. Vendim, për të ardhmen e Kosovës shumë me lehtë mund ta marr BE-ja, sepse Kosova është ne oborrin e saj. Një vendim për Kosovën i marr nga BE-ja do të pranohet dhe mbështete edhe nga ShBA-ja publikisht dhe nga Rusia heshtazi. Megjithatë, edhe vendosmëria për të ofruar një zgjidhje për të ardhmen e Kosovës, duhet të jetë e tillë që nuk rrezikon proceset e krijuara deri me tani në Kosovë. Çdo vendim që mendohet të merret duhet të respektojë parimin e vetëvendosjes së popujve, në këtë rast edhe të qytetarëve të Kosovë. Ne nuk duhet të jemi përjashtim në këtë botë. BE-ja duhet të veprojë dhe sytë tani janë drejtuar nga Franca aktive, Britania e vendosur, Italia e medyshur dhe Gjermania e thyer.